vebibexheti

Vebi BEXHETI

Protestat e vazhdueshme që tanimë jemi mësuar t’i shohim rrugëve të Shkupit dhe të disa qyteteve tjera, e që na përkujtojnë ato të Sërbisë së kohës së Millosheviqit, si duket janë sinjale që paralajmërojnë një të ardhme jo të sigurtë të vendit, madje edhe të rrezikshme për të gjithë. Kjo krizë që po kulmon kohëve të fundit është e vjetër sa edhe vet shteti, madje me rrënjë që nga koha e ish Jugosllavisë. Demonstratave të viteve 1968, 1981 dhe atyre të mëvonshmeve, me kërkesat e shqiptarëve për barazi të plotë me të tjerët në Jugosllavi, asnjëherë nuk iu ndan edhe shqiptarët e Maqedonisë. Kjo vazhdimësi e kërkesave të tyre nuk ka pse të ndërpritet në Maqedoninë e sotme, kur dihet se kjo pjesë e kombit, edhe sot, pas 26 viteve të shembjes së sistemit komunist, bashkë me shpërbërjen e Jugosllavisë, është ende shumë larg synimeve minimaliste të tyre, për të qenë vetëm të barabartë me maqedonasit e asgjë më tepër. Si duket,këto kërkesa të shqiptarëve, përmes veprimit politik, nga fillimet e pluralizmit,nuk i dhanë rezultatet e dëshiruara. Radikalizmi i tyre që çoi deri në kryengritjen e armatosur, përmes së cilës do i jepej fund nje herë e përgjithmonë kësaj gjendjeje nënshtruese dhe shqiptarët do jenë zot të vetvetes, mbaroi me komunikatën ,,historike’’ të udhëheqjes së lartë komanduese se lufta bëheshka për mbrojtjen e Maqedonisë. Le t’u kthehemi sërish protestave antiqeveritare të qytetarëve dhe partive opozitare maqedonase dhe shqiptare. Nëse opozita politike maqedonase dhe shoqata të ndryshme joqeveritare e kanë synim vetëm rrëzimin e kësaj Qeverie të korruptuar, që ka falsifikuar edhe zgjedhjet dhe sipas tyre nuk kanë legjitimitet për qeverisje, forcat e reja politike shqiptare, në këto protesta, mendojnë për modalitete tjetërfare të demonsrtimit,ku kërkesat kryesore e tyre do jenë të drejtat e plota të shqiptarëve, ato që nuk u fituan as me luftën e udhëhequr nga njerëz që me etjen për pushtet e dogjën idealin historik, të shqiptarëve,ëndrrat e luftëtarëve, dinjitetin e tyre. Protestat e organizuara nga LR-PDSH dhe disa parti e organizata joqeveritare shqiptare, që u organizuan në Shkup, ishin të qeta, qytetëruese, pa dhunë, që nuk përdhosën asnjë objekt, e as ato karakteristike për SHKUPIN 2014, por të qarta për kërkesat me interes kombëtar. Edhe protestat e 9 Majit, të organizuara nga,,Këshilli opozitar’’, e që u përkrahën fuqimisht nga BESA , LR- PDSH dhe shumë OJQ, ishin me kërkesa të qarta për të drejtat e shqiptarëve, të qeta dhe qytetëruese. Pjesëmarrja e gati të gjitha partive opozitare shqiptare në këto protesta është sinjal i mirë për kualicionimin parazgjedhor të forcave të reja politike dhe shpresë për një qeverisje më dinjitoze dhe më këmbëngulëse ,kuptohet, nëse arrihet pajtueshmëri për qeverisje me palën maqedonase. Protestave të deritanishme antiqeveritare në disa raste iu kundërvunë edhe kundërprotestat e organizuara nga VMRO, të cilave sipas një logjike duhej t’u bashkangjiten edhe ato të BDI-së, që do ishte krejt normale për dy partnerë koalicioni, të cilët me aq besnikëri e mbrojnë njëri-tjetrin, sepse të dy palët janë për ruajtjen me cdo kusht të Maqedonisë, kështu sic është. Vet fakti që i vetmi subjekt politik, PDSH, që veten e konsideron si opozitare, ende nuk ka paralajmëruar protesta, e as që i ka përkrahur ato të organizuar nga shqiptarët, tregon se kjo Parti është partner nën hije i koalicionit dhe nuk do e as që mund t’i kundërvëhet Gruevskit e Ivanovit. E tërë kjo gjendje e çrregulluar e funksionimit të një shteti normal e ka historinë e vet,nga koha më e largët e deri ne këtë më rë renë, që në vazhdim do mundohemi ta elaborojmë përmes këtyre segmenteve të veprimit politik:

1.Qeverisja e gjatë e dy partnerëve të koalicionit VMRO-BDI
-Koalicionimi shumëvjeçar mes partnerëve qeverisës VMRO-BDI ,mospërfillja e nënçmimi deri në baltosje të dinjitetit shqiptar si asnjëherë më parë,nga ana e VMRO-së së Gruevskit,politizimi i plotë i shtetit dhe oportunizmi i vazhdueshëm i partisë shqiptare, që në politikë u fut me bagazhin e luftës ,ishte sinjal i parë i alarmit se kjo anije e quajtur Maqedoni, po futet në ujëra të turbullt. Kjo përvojë e bashkëqeverisjes me dy partitë fituese,atë të maqedonasve dhe të shqiptarëve, pa respektim të ndërsjell dhe me majorizim nga shumica maqedonase,me gjithë mekanizmin e Badenterit që në shumë raste nuk u mbrojt as nga vet deputetët e partisë në pushtet ,dëshmoi se synimet e shqiptarëve për të qenë të barabartë me maqedonasit,janë ende shumë larg. Moskëmbëngulja e subjektit politik shqiptar për t’i fituar këto të drejta, dhe mungesa e aktivitetit të tyre që këtë realitet ta shtrojë edhe në tryeza të niveleve ndërkombëtare,e vecmas në ato të BE-së , cështjen shqiptare dhe kërkesat e tyre i lanë nën hijen e problemeve tjera të Maqedonisë, siç është konteksti i emrit me Greqinë dhe mosmarrëveshjet e thella ideologjike mes pozitës dhe opozitës maqedonase. Ali Ahmeti në vend që të punonte më tepër në sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar dhe njohjen e tyre me gjendjen e vështirë të shqiptarëve në këtë shtet,ai vetkënaqej me retorikën bajate,duke e përsëritur kushedi për të satën herë se angazhohet natë e ditë që ,,vëndi’’ të bëhet sa më parë anëtar i NATO-s dhe BE-së ,madje për këtë qëllim bëri disa ecejake nëpër Evropë,udhëtime këto që nga Gruevski u quajtën si turistike private. Injorimi i atyre pak kërkesave të partisë shqiptare në pushtet,ashtu si edhe mospërfillja e opozitës maqedonase që coi deri te bojkoti i Prlamentit , politika nacionaliste e VMRO-së, e bazuar në një histori fallco, investimi marramendës për realizimin e projektit Shkupit 2014, që këtë qytet edhe me identitet shqiptar që nga lashtësia , e zhveshi nga elementi autokton,inskenimi ngjarjeve ,siç janë ato të ,,Monstrës’’, Kumanovëse e disa të tjera, dhe partizimi i plotë i shtetit, me kohë kishin paralajmëruar se Kryeministri kryeneç, i udhëhequr nga ide primitive nacionaliste ngjitej ngadal por i sigurtë drejt kulmit të aventurës politike .

2.Mosrealizimi i Marrëveshjes së Ohrit

Kjo Marrëveshje nga e cila u prit shume,jo që nuk i dha rezultatet e pritura, por përkundrazi, e forcoi edhe më tepër karakterin unitar të shtetit, dhe shqiptarët i la në periferinë e veprimit politik, duke i zhveshur tërësisht nga hisja e tyre shtetformuese. Punësimi i drejtë dhe adekuat në administratën shtetërore, që fillimisht dukej një sukses për shqiptarët sepse, me këtë tempo të punësimit, ata për një kohë të shkurtër do e arrinin përqindjen që do t’i përgjigjej numrit të përgjithshëm të tyre në këtë shtet, me kalimin e kohës u vërtetua si manipulim. Nëse në fillim Zëvendëskryeministri shqiptar Musa Xhaferi , që tërë kohën e karrierës së tij politike ishte përgjegjës për jetësimin e kësaj marrëvëshjeje, fliste me përqindje për punësimet e shqiptarëve, më vonë, kur ishte shumë e qartë se VMRO kishte punësuar shumë më tepër, nuk e përmendte përqindjen, por vetëm numrin e të punësuarëve, përfshirë edhe kategorinë e atyre që karrierën e punës e kishin filluar si pensionistë, që nuk ka si të kuptohet ndryshe përvec si ofendimi i radhës se shqiptarët nuk merituakan të punojnë në zyrat administratës së shtetit që e konsiderojnë edhe si të vetin. Nga e tërë ,,kjo e arritur’’, si rezultat i MO, është (mos) përdorimi i Gjuhës shqipe dhe shkarravitja e saj në disa vende e nivele lokale e qendrore, në mbishkrime të ndryshme me interes publik, përfshirë edhe autobusët urbanë. Nuk mund të ketë barazi të gjuhës shqipe, derisa kjo e drejt varet edhe nga disponimi i udhëheqësve maqedonas, disa nga të cilët arsyetohen se kjo punë është më tepër çështje teknike dhe se do rregullohet në të ardhmen, dhe disa të tjerëve që haptazi e shprehin urrejtjen ndaj një gjuhe që së paku e flasin mbi 30%. Absurdi më i madh, madje se edhe ai mosrespektimit dhe injorimit të kësaj gjuhe, ishte dhe mbetet të jetë emërtimi cinik dhe nëncmues ,,Gjuha të cilën e flasin 20% e popullatës së shtetit. Është iluzore të pritet përparim në përdorimin e Gjuhës shqipe në Shkup, kur dihet se projekti ,,Shkupi 2014’’, përvec falsifikimit të historisë së vet sllavëve, ka për qëllim të crrënjos cdo element shqiptarë, me tërë vecoritë dalluese sic është edhe vet gjuha. Këtë mohim dhe mospërfillje të gjuhës shqipe e dëshmon edhe vet mungesa e mbishkrimeve në hyrjet e pallateve të institucioneve qeveritatre e kulturore,,sic është edhe ai i Qeverisë ,Muzeu Arkeologjik, Teatri i Dramës dhe Baletit, Radiotelevizioni i Maqedonisë, Akademia e Shkencave,Biblioteka, Ministritë, madje edhe tek ato që udhëhiqen nga kuadro shqiptare, dhe shumë e shumë institucione tjera. Absurdi e arrin kulminacionin kur shkronjat shqipe nuk gjetën vend as tek emri nënës Tereze, shkupjanes dhe nobelistes shqiptare. Kjo urrejtje për gjuhën shqipe deri në injorimin dhe mospërmendje të emrit të saj, vazhdon t’i ushqejë albanofobët e këtij shteti edhe sot, kur në këtë Qeveri BDI e vazhdon jetën politike por tanimë me formacionin e ,,Juniorëve’’.

3.,,Bombat’’ e Zaevit
Simbolika e publikimit të menjëhershëm dhe befasues e përgjimeve aq masive që ua kalojnë edhe atyre më të njohurave në botë,i përgjigjet plotësisht eksplodimit të një bombe me diametër shkatërrues. Këto tronditje politike me pasoja aq të mëdha për qytetarët e Maqedonisë, si duket, shënuan fillimin e rënies së dinastisë së Gruevskit. Merita e liderit të opozitës maqedonase për nxerrjen në shesh të politikës së nëntokës që e udhëheq ende kjo garniturë udhëheqëse, pavarësisht se si erdhi deri te këto përgjime aq masive, aq rrënuese për shtetin e aq antishqiptare, nuk duhet anashkaluar nga disa parti shqiptare, me arsyetimin se edhe ai nuk u ofron shqiptarëve asgjë më tepër. Tani për tani ai atyre u ofroi një të vërtetë, ate se sa ato urrehen nga garnitura udhëheqëse banditeske e kryeministrit diktator. Urrejtja patologjike për shqiptarët deri në shfarosje, që paraqet gjenocid të llojit të vet dhe shumë e shumë biseda tjera të përgjuara, duke përfshirë edhe dënimet e larta, madje edhe ato me burgim të përjetshmet për shqiptarët, që edhe sipas bisedave të tyre, janë të pafajshëm. Zaevi, që tanimë është zëri opozitar që dëgjohet më shumë, duhet të respektohet jo vetëm nga opozita e mirëfilltë opozitare shqiptare, por edhe nga ajo në pushtet, sepse tani për tani, një gjë të tillë e meriton, edhe pse i mungoi guximi për t’i publikuar edhe përgjimet e paralajmëruara që kishin të bëjnë me rastin e ,,Sopotit ‘’ dhe ,,Monstrës’’. Në përgjimet e publikuara dolën në shesh shumë afera korruptive, plane për kurdisjet e rezultateve zgjedhore, falsifikimet e natyrave të ndryshme, përfshirë edhe manipulimet e votuesve maqedonas nga Pusteci i Shqipërisë dhe shumë raste tjera që nxorrën në shesh fytyrën e vërtetë të garniturës aktuale politike,disa nga të cilët dhanë dorëheqje. Nëse me zgjedhjet e parakohëshme, kurdo që të mbahen ato, në bllokun maqedonas fiton forca opozitare, partia apo partitë fituese shqiptare që e pretendojnë pushtetin, por jo me cdo kusht, duhet të jenë këmbëngulëse në kërkesat e tyre që do realizopheshin përmes programeve me të cilat i kanë marrë votat nga votuesit shqiptarë, dhe ndërtimit të mekanizmave që do e siguronin realizimin e të drëjtave të plota, që nënkupton edhe shtetin dynacional mes dy popujve shumicë.

4. Marrëveveshja e Përzhinos
Edhe kjo marrëveshje që që në një farë mënyre e zëvendësoi atë të Ohrit si të dështuar ,por edhe si rezultat i ngjarjeve aktuale, e organizuar gjithashtu nga faktori ndërkombëtar, sic janë, autoritetet e BE-së dhe të SHBA-të, si duket, është në rrugë për dështim të plotë. Edhe ato pika që fillimisht dukeshin si të realizueshme, tani, kur duhej të jetësohen, po pengohen nga Qeveria kokëfortë e VMRO-së, pa Gruevskin. Nga formimi i Qeverisë teknike e një spektri më të gjërë qeverisës, ku sipas marrëveshjes së nënshkruar nga katër liderët e partive pjesëmarrëse në Parlament, pjesë e Qeverisë u bë edhe Partia e Zaevit që iu dhanë dy ministri dhe disa zëvendësministra, nuk doli ajo që e mendonte faktori ndërkombëtar dhe qytetarët e Maqedonisë. Tanimë Ministria e Punëve të Brendshme që për ta udhëhequr iu dha kuadrit të LSDM-së, vepron si duket, me dy komanda, sepse vendimet që i nënshkruan Ministri legjitim, shfuqizohen nga shumica qeveritare, gjë që tregon se edhe pas kësaj marrëveshjeje, vepron Qeveria e mëparshme, ajo e VMRO-së dhe BDI-së. Një fitore tjetër e Marrëveshjes, ndoshta edhe më e rëndësishmja që mund ta ndihmonte daljen e vendit nga kriza,ishte zgjedhja Kryeprokurores speciale që do i procesuonte rastet më të ndjeshme, për të cilat Prokuroria shtetërore as që cante kokën, sepse ishte tërësisht e politizuar, si gjithë sistemi juridik dhe institucionet tjera shtetërore. Katica Jneva,bashkë me ekipin e vet, në mesin e të cilëve më tepër u përfol dhe u kontestua emri shqiptares Fatime Fetahu, e dihet pse, sapo kishte filluar me punë konkrete pas shumë pengesave që kishin të bëjnë nga ato të natyrave teknike, e deri tek ato buxhetore,edhe pse të gjitha të rregulluara me ligjin e sjellë në Parlament, nga Gruevski dhe partia e tij u shpall e njëanshme dhe e politizuar që i ndihmuaka Partisë së Zaevit. Kjo kthesë nga qëndrimi fillestar i ish kryeministrit, kur publikisht e përshëndeti emrimin e zonjës Janeva, erdhi në momentin kur pas ngritjes së procedurës hetuese nga Specialja, për bashkëpunëtorët e tij më të afërtë, filloi ,, t’i digjet bishti ‘’edhe vet ish Kryeministrit. Në këtë takim u vendos gjithashtu që për një afat të caktuar të japë dorëheqje kryeministri,të shpërndahet Parlamenti dhe të mbahen zgjedhjet e parakohshme,vendime këto që në një farë mënyre pengoheshin me zhagitje të afateve të realizimit.Kjo marrëveshje e garantuar nga ndërkombëtarët,ishte rast i mirë të shfrytëzohej nga dy liderët e partive parlamentare shqiptare nënshkruese. Ata, jo që nuk i shtruan problemet e shumta që kishin të bëjnë me shqiptarët ,por vazhdimisht deklaronin se tërë ato që ndodhnin viteve te fundit në Maqedoni , nuk kanë të bëjnë fare me shqiptarët por me maqedonasit mes veti,konstatim ky që shqiptarët sërish i la anash,por kësaj radhe me fajin e dy liderëve si pjesë e marrëveshjeje.

5. Vendimi skandaloz për falje ,i Kryetarit Ivanov
Në momentin kur nga e gjithë kjo gjendje haotike në qeverisje, pritej që kryetari i shtetit të reflektonte pozitivisht,ai me vendimin për falje të më shumë se 50 personave që ishin në procedurë ndjekjeje nga Prokurorja speciale i hudhi ,,benzin zjarrit’’. Me arsyetimin se një hap të këtillë e ndërmori me qëllim të daljes së vendit nga kriza e thellë politike, ai e dëshmoi edhe njëherë se është vetëm një vegël e shefit të tij partiak, ish kryeministrit Guevski. Ky keqpërdorim i pozicionit më të lartë të kierarkisë shtetërore ishte fatal për shtetin edhe ashtu të futur në krizë rë thellë prej disa vitesh.Të amnestosh individët për të cilët ishte ngritur hetim nga Prokuroria legjitime speciale, në emër të stabilitetit të vendit, është vepër tjetër që meriton gjithashtu ndjekje penale nga kjo Prokurori, pavarësisht arsyetimit të Gjorgji Ivanovit se për një hap i këtillë është në frymën e kushtetuese. I tërë ky plan ishte harmonizuar që më parë me ish kryeministrin , i cili e përdori si vegël të tij edhe institucionin më të lartë të drejtësisë,Gjykatën kushtetuese, që i dha dritë jeshile Kryetarit të shtetit për falje,edhe të kategorisë për manipulim të zgjedhjeve,në grupin e të cilëve u gjendën edhe Minisrja e punëve të brendshme,Jankullovska,Ministri i Komunikacionit dhe lidhjeve,Janakivski ,Drejtori i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, Mihajllkov dhe disa bashkëmendihmtarëve të tyre që ishin futur edhe në krime tjera. Ky vendim , jo që nuk i ndihmoi daljes së vendit nga kriza ,por përkundrazi,e thelloi atë,duke nxitur edhe protesta të vazhdueshme të organizuara nga OJQ të ndryshme dhe të partitë opozitare shqiptare e maqedonase,me dy kërkesat kryesore, dorëheqjen e Qeverisë , dhe tërheqjen e vendimit të Ivanovit për falje,ku nuk munguan dhe kërkesa tjera që vijnë nga partitë opozitare shqiptare,e që kanë të bëjnë me statusin e qartë që duhet të kenë shqiptarët në këtë shtet ,që do i barazonte ata plotësisht me maqedonasit.
Nëse për të gjitha këto zhvillime që vazhdimisht e thellojne krizën në Maqedoni,dhe shumë të tjera të lidhura me to ,nuk merren masa të natyrës politike,gjithsesi edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve me qendrat në Bruksel dhe Uashington,Maqedonia do gjendet në një udhëkryq e nuk do dijë kah t’ia mbajë.E tërë kjo nuk do arrihet pa sundimin e ligjit,para të cilit të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe pa të drejtat e plota të shqiptarëvë.Prokuroria speciale duhet përkrahur nga të gjitha forcat politike jo vetëm deklarativisht,por edhe me veprime praktike.Me një sistem gjyqësor skajshmërisht të partizuar,nismat e kësaj Prokurorie vështirë se do i rrumbullaksojnë lëndët që do jenë në kompetencë të saj,prandaj instalimi edhe i një Gjykate speciale është më se i nevojshëm,sepse vetëm atëherë nismat për ndjekje do jepnin rezultate. Zgjedhjet që gjithsesi duhet të jenë të parakohshme, të shtyhen më së largu për një vit,ndërsa vendi të udhëhiqej nga një Qeveri ekspertësh,ku nuk do partciponin partitë politike,sepse përvoja e qeverisjes aktuale tregoi se VMRO-ja,duke u bazuar në numrin e deputetëve shumicë, të përbërjes së fundit, e të ndihmuar shpeshherë edhe nga dy partitë shqiptare, përmes mekanizmit të mbivotimit,vazhdonte me avazin e vjetër,duke u arsyetuar se tanimë vendi qeveriset nga një koalicion gjithpërfshirës dhe se përgjegjegjësia u takon të gjithëve. Një qeveri e depolitizuar e këtillë,nuk do ishte pengesë për veprimet dhe procedurat e Janevës dhe ekipit të saj, që me duar krejt të lira e pa pengesa ,të ngrente procedurë hetimore për të gjithë ata që kanë kryer veprime antiligjore e korruptive,duke nisur nga Kryetari i shtetit ,ish Kryeministri dhe të tjerët,nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për ndjekje dhe procedurat e radhës,që duhet të t’u nënshtrohen. Pë zgjedhje fer dhe demokratike,duhet një KSHZ me ekip ekspertësh ,gjyqtarë të verifikuar dhe të pa orientuar politikisht. E ërë kjo , nuk mund të realizohet ,pa tërheqjen e vendimit të Kryetarit për abulim. Pa këto hapa serioz dhe të guximshëm,jo që nuk mund të dilet nga kjo krizë e thellë politike e ekonomike,por,si duket, vëhet në pykpyetje edhe orientimi strategjik pro-perënimor.Sinjalet e para për devijim nga rruga drejt Evropës së bashkuar i dhanë anëtarët e ,,Manifestit maqedonas’’,disa nga të cilët shumë të afërtë me Gruevskin dhe politikën e VMRO-së dhe ish funksionerë të tajfës së tij,siç ishte edhe ambasadori i dikurshëm në Shqipëri.Qëndrimi i këtillë anti SHBA-ve e anti BE-së dhe shikimi kah lindja ruse, e bëjnë të pashmangshme pyetjen,kah po shkon Maqedonia?!