VMRO-DMNE-ja mbetet në qëndrimin se ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill dhe sipas saj vlerësimi i mbrëmshëm i ambasadorëve të huaj është i pa argumentuar dhe i bazuar në vlerësime politike dhe jo fakte.

“Përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së nuk prezantuan asnjë argument të vetëm serioz në materialin ku është paraqitur teza e mosgatishmërisë së Maqedonisë për zgjedhje, që do të thotë se është e qartë se bëhet fjalë për vlerësim të bazuar në vendim politik e jo në fakte. Gjatë ditëve të kaluara, në komunikimin intensiv me ta, në të gjitha nivelet, si politik, ashtu edhe teknik, jemi bindur se nuk ka argumente të qëndrueshme për shtyrjen e zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e VMRO-DMNE-së.

Veç kësaj, VMRO-ja vlerëson se qëndrimet e këtilla të bashkësisë ndërkombëtare mund të ndërlikojnë edhe më shumë gjendjen në vend.

“Gjendja e tillë mund të çoj vendin në probleme të reja në shtet dhe në vend të daljes nga kriza, të kemi përkeqësim të saj, në kundërshtim me atë që presin qytetarët edhe nga partitë politike edhe nga Bashkësia ndërkombëtare”, reagimi i VMRO-DMNE-së.

Por, nga LSDM-ja kanë përsëritur qëndrimin se zgjedhje më 24 prill nuk mund të ketë për shkak të mos përmbushjes së kushteve elementare për mbajtjen e tyre në atmosferë demokratike dhe në bazë të kritereve të parapara sipas marrëveshjes së Përzhinës. Kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev tha se opozita nuk do të rrijë duarkryq nëse VMRO-ja megjithatë vendos që të organizoj zgjedhje më 24 prill. I pyetur të komentoj vendimin për shpërbërjen e Kuvendit i cili duhet të hyjë në fuqi mesnatën së martës, Zaev tha se opozita nuk e ka ndërmend të ngrejë nismën për shfuqizimin e vendimit pasi një gjë të tillë duhet ta bëjnë ata që vendosën për shpërbërjen e Kuvendit.

Nga ana tjetër, edhe dy partitë shqiptare në bisedime PDSH-ja dhe BDI-ja kanë përsëritur qëndrimin se mbështesin qëndrimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë se më 24 prill nuk ka kushte për zgjedhje. Talat Xhaferi pranon se BDI-ja ka ndryshuar qëndrimin por jo edhe partneritetin me Bashkësinë ndërkombëtare.

“Për partner kryesorë në veprimtarinë tonë kemi pasur faktorin ndërkombëtar në veçanti Unioni Evropian dhe SHBA. Dhe s’do mend që qëndrimi i jonë në drejtim të kësaj, konsiston me qëndrimin e faktorit ndërkombëtar”, deklaroi Talat Xhaferi, BDI.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian edhe një herë ka ftuar partitë që të punojnë për krijimin e kushteve që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje.
“Ne inkurajojmë udhëheqësit politikë të mbeten të angazhuar dhe partitë politike duhet të punojnë drejt hapave të nevojshëm për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme në datën më të hershme të mundshme”, deklaroi Maja Kocijanciq, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Vlerësimi i ndërkombëtarëve se më 24 prill nuk ka kushte për zgjedhje është mbështetur edhe nga partitë e reja shqiptare, RDK, BESA, LR-PDSH dhe UNITETI, gjithashtu kanë shfaqur pajtueshmëri dhe përkrahje të plotë ndaj vlerësimit të mbrëmshëm të BE-se dhe SHBA-ve. Nëpërmjet komunikatave të dërguara, ato kanë pohuar qëndrimet e tyre të përhershme se vendi nuk është i gatshëm që të shkojë në zgjedhje në datën e paraparë sipas Marrëveshjes së Përzhinës./Alsat-M