Autoritetet lokale të Strugës pohojnë se objekti i ri i shkollës fillore “Vëllezërit Milladinovci” do të jetë gati deri në fund të muajit. Prindërit e nxënësve, por edhe një pjesë e partive politike dyshojnë në këtë informatë. Thonë se punimet e mbetura nuk mund të përfundojnë për kohë kaq të shkurtë. Nga VMRO DPMNE i bëni thirrje kryetarit Merko ta shes automobilin Audi që kushton 100 mijë euro e të cilin e bleu para disa muajve, që të përfundojë shkolla e re dhe fëmijët të mos e ndjekin mësimin në kushte mizore në objekt që është ndërtuar para Luftës së Parë Botërore.

Kërkojmë komuna Strugë, kryetari Ramiz Merko, LSDM-ja lokale dhe Ministria e arsimit, menjëherë të marrin hapa përkatës dhe të sigurohen kushte, që fëmijët të mund të shkojnë në shkollë dhe të akomodohen nëpër klasa, siç e kanë nxënësit tjerë. Është turp dhe fatkeqësi që në shekullin 21, fëmijët të shkollohen në mizori si kjo z. Merko, shiteni makinën Audi dhe siguroni për fëmijët, nëse asgjë tjetër, të paktën kushte minimale për mësim. Dorëheqje menjëherë – thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

Fatkeqësisht, nxënësit në këtë kohë po mësojnë në hapësira të mjerueshme. Pushtetit komunal i japim afat deri më 15 shtator që nxënësit të zhvendosen në hapësirat e reja. Përndryshe ne do të mbështesim çdo iniciativë që vjen nga prindërit e nxënësve që mësojnë në këtë shkollë. Këta fëmijë nuk e meritojnë një qasje të tillë nga komuna – thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Kryetari Ramiz Merko për Alsat tha se objekti është në fazën përfundimtare dhe se do të jetë gati së shpejti.

Siç raportoi Alsat, disa prindër tashmë kanë njoftuar se do ta bojkotojnë mësimin dhe nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Ata u ankuan se kushtet janë më se të mjerueshme, dhe se objekti dukej si një stallë e jo shkollë që e krahasojnë me një shtëpi frike dhe tmerri. Kjo shkollë është një donacion nga komuna turke e Bujukçekmexhi dhe filloi të ndërtohet në vitin 2015.