VMRO-DPMNE me një fjalor të ashpër iu shpalli luftë të hapur disa mediave dhe Organizatave Joqeveritare që sipas tyre, financohen nga Sorosi dhe për të cilat thuhet se kanë për qëllim destabilizimin e vendit.

Në një komunikatë për shtyp, nga VMRO-DPMNE akuzojnë se Soros është armiku më i madh i gazetarisë së pavarur, pasi përmes dhënies së grandeve në mënyrë sistematike i korrupton gazetarët dhe mediat, duke i bërë, siç thonë robotë gjysmë të vlefshëm.

Sipas VMRO-së Soros varros, të ashtuquajturin sektor civil duke krijuar rrjet të organizatave joqeveritare kukulla, të cilët janë zbatues të verbër të urdhrave që i marrin me qëllim të krijimit të tensioneve dhe rritjen e ndikimit të Sorosit në shtet.

Partia e Nikolla Gruevskit konsideron se në Maqedoni Sorosi i vjen në ndihmë LSDM-së dhe nëpërmjet një revolucioni të paguar, kanë dëmtuar vendin me qindra mijëra euro, kanë lënduar 50 gazetarë, kanë dëmtuar institucione dhe përmendore.

Me ton kërcënues, komunikata e VMRO-së mbyllet me fjalët “Procesi i desorosoizimit fillon.” Të pyetur për të sqaruar kuptimin e kësaj, nga VMRO-DPMNE nuk dhanë shumë sqarime. Ata përsëritën këto qëndrime duke mos treguar as në çfarë mënyre planifikojnë ta ndërpresin këtë.

  Duam ta lirojmë vendin tonë nga kthetrat dhe nga disa mendime të imponuara nga jashtë që kanë për qëllim të vetëm ta shkatërrojnë vendin tonë. Kur ti nën ombrellën e Sorosit shkatërron institucione, kur nën ombrellën e OJQ-ve të sorosoizuara sulmon autoritetin e politikanëve, gjithçka që është ndërtuar, gjithçka që është ndryshuar në sferën ekonomike për një jetë më të mirë në shtet dhe kur kundërshtoni gjithçka që është e jona, e Maqedonisë atëherë këto OJQ nuk janë OJQ por janë të paguar nga shërbimet e huaja që kanë për qëllim ta tensionojnë vendin tonë – deklaroi Kërsto Jovanovski nga VMRO-DPMNE.

Kërcënimet e këtilla të VMRO-DPMNE-së vijnë vetëm pak kohë pasi Drejtoria e të Ardhurave Publike pa kurrfarë arsyetimi bëri kontrolle të detajuara në shumë media dhe Organizata Joqeveritare. Aksioni i tillë i DAP-it në opinion u interpretuar si presion nga pushteti për të gjithë që nuk mendojnë njëjtë me të.