Lëvizja Vetëvendosje dega në Prizren ka reaguar lidhur me zëvendësimet në Komunën e Prizrenit. Sipas kësaj dege  emërimi i gjashtë drejtorëve të rinj në Prizren është vetëm një mashtrim optik për ta mbuluar qeverisjen e keqe të PDK’së.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren “ndryshimet” në qeverisjen lokale, duke i ndërruar përnjëherësh 6 drejtorët e saj, i sheh si një tjetër mashtrim optik në sytë e qytetarëve të saj , vetëm e vetëm për t’ia zgjatur jetën keq qeverisjes së PDK-së në Prizren. Për këto “ndryshime” qytetarët e Komunës së Prizrenit nuk u informuan fare për arsyet e ndërrimeve të këtyre personave, të cilët gjatë kohës sa ishin në detyrat e tyre vazhdimisht kanë abuzuar me pasurinë publike”, thuhet të reagimin e VV-së.

VV më tej ka shtuar se me këtë mendësi PDK-ja mund t’i ndërrojë të gjithë drejtorët e drejtorive komunale, por nuk do të mund të bëjë as ndryshimin më të vogël e për të dalë nga kjo stërkeqje politike të shkaktuar prej vitesh në Komunën e Prizrenit.

“PDK-ja edhe turpin e tyre, përmes konferencës për shtyp, e shndërron në fitore të re, duke mos u larguar asnjëherë nga mentalitetit i kapjes së shtetit, sepse të gjithë drejtorët e ”ndërruar”, të kryesuar nga Ramadan Muja, janë nën hetime të organeve të drejtësisë. Ndryshimet duhen bërë, por duke filluar nga Ramadan Muja. Qëndrimi i mëtejmë i Ramadan Mujës në krye të Komunës së Prizrenit është jo vetëm tallje dhe ofendim për qytetarët, por edhe një shkarje më e madhe në paturpësinë e tyre.

Aferat e tyre korruptive mund të ndalen vetëm përmes çrrënjosjes së mendësisë së politikave të tilla dhe ky mbetet edhe qëllimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, përfundon reagimi për media.