Disa orë takim e konferencë për shtyp dhe qëndrim deri në orët e vona të pasdites iu deshën kryeministrit Zoran Zaev dhe delegacionit të tij për vizitë tek kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në Tiranë.

Në këtë takim nuk pati as ndonjë memorandum e as ndonjë marrëveshje të nënshkruar midis të dy qeverive. Që të dy kryeministrat folën për idenë e bashkëpunimit ekonomik, përkatësisht për të krijuar një zonë të përbashkët ekonomike si dhe për kalim të lirë kufitar për qytetarët e të të dy vendeve.

Porosia kryesore e këtij takimi do të ishte se që të dy (Zaevi dhe Rama) tash po ndërtojnë dhe po forcojnë si asnjëherë më parë marrëdhëniet e mira midis të dy vendeve, e po aq edhe porosia se është ai (Zaevi) miku i madh maqedonas i krejt shqiptarëve dhe i Ramës, e jo si dikur kundërshtarët e tij politik të VMRO-DPMNE, në veçanti Nikola Gruevski, të cilët e sulmuan ashpër Edi Ramën për kinse ndikimin e tij në përmbajtjen e deklaratës së Janarit të vitit 2017 midis partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Por, a mund krejt këto çështje që u biseduan midis të dy kryeministrave të bëheshin vetëm me telefon pa pasur nevojë një ditë e tërë udhëtim ?

Ka përplot raste kur gazetarët perëndimor pyesin politikanët e tyre : « çfarë biseduat në takim e që nuk mund ta bisedonit përmes telefonit ? « 

E njëjta pyetje do të vlente edhe për Zaevin dhe Ramën, sidomos për këtë të parin të cilit iu deshtë krejt një ditë udhëtim për këtë takim i cili ndodhi tash kur në Maqedoni të Veriut po vlon para-fushata e zgjedhjeve për kryetar të vendit.

Kandidati i përzgjedhur i Zaevit, e i përkrahur edhe nga katër parti shqiptare në pushtet me LSDM-në e kryeministrit, Stevo Pendarovski, po e kërkon edhe votën e shqiptarëve, sepse pa votat e tyre ai vështirë se do ta mposhtë Gordana Siljanovskën e VMRO-DPMNE-së.

Nga takimi midis Zaevit dhe Ramës, në konferencën për shtyp zgjedhjet presidenciale u përmenden vetëm kur të dy treguan se të dy qeveritë do të takohen në Maqedoni për një sesion të përbashkët pas zgjedhjeve presidenciale të prillit, aty nga vera.

Para gazetarëve në Tiranë nuk u fol për Pendarovskin, as për Siljanovskën e Blerim Rekën.

Se çfarë kanë biseduar për këta tre emra në takimin e mbyllur të dy kryeministrat këtë nuk mund ta dimë, por vetëm mund të tentojmë të spekulojmë.

Por, vizita e Zaevit tek Rama në këtë kohë para-fushate megjithatë mund edhe të krijojë përshtypjen tek votuesit shqiptarë në Maqedoni të Veriut se Rama është përkrahës i hapur i Zaevit, e me këtë pra edhe kandidatit të përzgjedhur nga LSDM, aq më tepër kur partitë e të dyve janë parti të majta.

Rama nuk është deklaruar për këtë para publikut por përshtypjet e këtilla të krijuara gjatë ditës së djeshme nuk mund të mohohen këndej anës së kufirit.

Do të ishte ndërhyrje në çështje të brendshme politike të Maqedonisë së Veriut sikur Rama ta bënte këtë publikisht. 

Po aq, do të ishte e pakëndshme edhe për vet Ramën që ta bënte këtë publikisht, kur në garë është edhe kandidati shqiptar Blerim Reka, i përkrahur nga dy parti shqiptare në opozitë.

Mbetet që të shihet nëse pas raundit të parë, nëse do të ketë nevojë për raundin e dytë për garë midis Pendarovskit dhe Siljanovskës, se a do të ruajë Edi Rama këtë parim, apo ai do të dërgonte ndonjë porosi publike, në një apo mënyrë tjetër, tek votuesit shqiptarë për të mbështetur kandidatin e Zoran Zaevit dhe partnerëve të tij qeveritar./Zhurnal/