Kryeministri Zoran Zaev beson se porositë pozitive që vinë nga Sofja mund të jenë një mundësi e mirë për zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në vend dhe zgjedhjeve parlamentare në shtetin fqinj. Bullgaria, e cila prej muajsh drejtohet nga një qeveri teknike, do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 nëntor.

“Të gjithë e dimë se kur përfundojnë zgjedhjet, të gjithë politikanët edhe tek ne edhe në Bullgari janë më të logjikshëm, më të përgjegjshëm se sa para zgjedhjeve. Me përfundimin e zgjedhjeve tek ne dhe me përfundimin e zgjedhjeve në Bullgari, do të ketë një arsye për të pasur një mundësi të dytë. Arsyeja e dytë edhe më thelbësore është se në bisedime ecim në rrugë të mirë. Mirëkuptimi i ndërmjetëm është gjithmonë e më prezent në bisedime” – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Kryeministri teknik bullgar Stefan Janev në një intervistë për mediat bullgare një ditë më parë kishte deklaruar se pas zgjedhjeve në Bullgari, dialogu mes dy vendeve mund të marrë kuptim dhe dinamikë tjetër. Ai ka shtuar se duhet të kërkohet marrëveshje në interes të të ardhmes së të dy vendeve dhe jo të mbetemi në të kaluarën.

Profesori Nenad Markoviq është skeptik për arritjen e shpejtë të një marrëveshje mes dy vendeve. Ai për Radion Evropa e Lirë thekson se e vetmja gjë që ndoshta mund të ndihmojë është presioni ndërkombëtar ndaj Sofjes.