Zaev: pushteti synon të shpëtojë duke krijuar tensione ndëretnike (video)

Maqedonia gjendet para një sfide të rëndë, të zgjedh ndërmjet regjimit të Nikolla Gruevskit dhe Maqedonisë demokratike pasi që të dyja nuk shkojnë së bashku. Kështu ka deklaruar lideri i LSDM-së Zoran Zaev në fjalimin gjatë konferencës ndërkombëtare “Sigurimi i kushteve bazike për Maqedoni demokratike”. Ai ka shtuar se skenarët e pushtetarëve për të krijuar tensione ndëretnike nuk do të kalojnë pasi që popullata ka kuptuar lojërat e partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE- BDI.“Zgjedhje kriminele, zgjedhje pa opozitën dhe opinionin demokratik, janë një skenar i errët për Maqedoninë të cilën e dëshirojnë rrymat antidemokratike të udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Ata që po tentojnë që këtyre ditëve në të gjitha mënyrat të shohin shpëtim për vete madje duke nxitur në mënyrë jo adekuate konflikt ndëretnik,ndërsa ju them se nuk do të kenë sukses. Qytetarët janë vetëdijesuar”, tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ndërsa, Xhakomo Filibek, zëvendëssekretar i Partisë Socialiste Evropiane tha se ata do të jenë prezent në zgjedhjet në Maqedoni për të mos lejuar që të luhet parregulla dhe të shkohet në zgjedhje ku njëra palë që në fillim do të jetë e humbur.

“Ne nuk dëshirojmë të shikojmë një ndeshje futbolli, i cili është pa refer dhe ku një ekip luan vetëm me gjysmën e saj dhe ndoshta edhe pa portierin. Sepse kjo është ajo me të cilën do të ballafaqohemi në zgjedhjet e ardhshme në këtë vend nëse nuk rivendosim lirin e mediave, nëse nuk do të kemi listë reale të votuesve, nëse nuk bëjmë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të drejta dhe demokratike”, tha Xhakomo Filibek

Ndërsa edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev tha se baza për një Maqedoni demokratike janë mbajtja e zgjedhjeve të drejta ku të gjithë pjesëmarrësit do të kenë rregullat e barabarta të garimit.

“Patjetër duhet të ketë proces të drejt zgjedhor dhe parazgjedhor. Patjetër duhet të ketë fitues legjitim, i pranuar nga të gjithë. Zgjedhjet duhet të zbatohen me listë zgjedhore të pastruar dhe të besueshëm,  jo me qindra vota fiktive, me numra amzë të shpikur të vendosur në adresa që nuk ekzistojnë. Mediumet duhet të respektojnë standardet profesionale ndërsa normalizimi i hapësirës mediale është obligim i marrëveshjes së Përzhnios”, theksoi Zaev.

Më pas, Zaev tha se është bërë vështirë të jetohet në Maqedoni ngase nuk funksionon drejtësia, nuk ka llogari se si shpenzohen parat e qytetarëve, ndërsa nga ana e kundërt nëse nuk je me qeverinë atëherë përballesh me kërcënime, shantazhe, burgosje dhe largime nga puna./Shenja/