Kryeministri Zaev e cilëson konstruktiv takimin me presidentin, Gjeorge Ivanov, dhe liderin e VMRO-së, Nikolla Gruevski. Ai thotë se në takim është biseduar hapur si liderë të përgjegjshëm që synojnë të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.
Zaev gjithsesi refuzoi të komentojë vendimin e Gjykatës për masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, për personat e akuzuar për dhunën e 27 prillit në Kuvend.
“Nuk do të doja të komentoj vendimet gjyqësore e të ngjashme, unë mund të flas për aspektin politik sepse jam politikan. Besoj se në Maqedoni sigurisht që do të ketë sundim të ligjit, por duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë për shkak të perspektivës së vendit. Maqedonia gjendet para proceseve serioze, na presin reforma serioze dhe besoj se absolutisht mundemi që përmes bisedimeve me subjektet politike, të gjejmë zgjidhje politike… Biseduam për normalizimin e situatës politike, veçanërisht theksuam nevojën që opozita të jetë e kyçur tërësisht, në mënyrë inkluzive, në proceset që gjenden para nesh. Sigurisht që shprehën pakënaqësinë për raste të caktuara politike me implikime ligjore në lëndë të cilat hetohen nga organet e drejtësisë. Pres të respektohen ligjet dhe Kushtetuta, pres që tërësisht të kihet kujdes në respektimin e normave ligjore në vend, as më pak e as më shumë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.