Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, i shoqëruar nga nënkryetarja Radmilla Shekerinska, u takua me ambasadorin e Gjermanisë në Maqedoni, Christine D.Althauzer, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe Charles Garrett, Ambasador i Mbretërisë së Suedisë, Mats Stafanson dhe ambasadori i Holandës, Wouter Plomp.

Në takim, siç kumton LSDM, është vlerësuar se është e domosdoshme proceset demokratike në Maqedoni të vazhdojnë me qëllim që të formohet Qeveria e re reformuese, sipas pritjeve të qytetarëve.

“Patëm zgjedhje kredibile, në të cilat shumica e qytetarëve e mbështetën konceptin e një shoqërie, zhvillimin e Republikës së Maqedonisë dhe jetën cilësore. Përkthyer në mandate deputetësh, janë 67 mandate me të cilat është siguruar shumica parlamentare dhe janë krijuar kushte për bisedime dhe formimin e Qeverisë së re”, ka theksuar Zaev.

Ai ka shtuar se është e domosdoshme Ivanov menjëherë ta japë mandatin për formimin e Qeverisë së re në R. e Maqedonisë, në interes të qytetarëve dhe shtetit.

Sipas tij, zgjedhjet e reja do të thonë vetëm thellim i krizës. “Ne jemi të përcaktuar drejt Republikës së Maqedonisë unitare, kjo gjë është mbështetur edhe prej partive me të cilat e siguruam shumicën parlamentare. E kemi tashmë bazën e programit të ri qeveritar për të cilën do të bisedohet në procesin e formimit të Qeverisë, ajo është vendosur në reforma, vende të reja pune, shëndetësi cilësore, arsim, drejtësi, kthimin e parave ndaj qytetarëve dhe zhvillimin euro-atlantik të Maqedonisë përmes bashkësisë dhe jo ndarje”, tha Zaev.

Në kumtesë qëndron se në takim janë shprehur pritje për pjekuri prej të gjitha palëve me qëllim që Maqedonia dhe qytetarët sa më parë të kenë Qeveri të re, në mënyrë të qetë, siç i ngjan një vendi i cili ka për qëllim të jetë pjesë e botës demokratike.