Skender Rexhepi – Zejdi nga koalicioni “Tash është koha” BDI-në nuk e llogarit fitues të këtyre zgjedhjeve në kampin shqiptar sepse akuzon se ka vjedhur vota. Rexhepi thotë se po të kishte investuar BDI në rrugë dhe vendbanimet shqiptare nuk do të kishte nevoja të investonte në blerjen e votave shqiptare.

-Nuk mund të themi se njerëzit që kanë vjedhur, shantazhuar, kërcënuar dhe blerë vota mund të llogariten fitues, unë nuk mund t’i llogaris fitues. Fitues janë ato 81 mijë njerëz që kanë qëndruar prapa koalicionit “Tash është koha” dhe njerëz të cilët pa fije frike, kërcënimi, shantazhimi me votën e pastërt si loti janë fitues,- tha Skender Rexhepi nga koalicioni “Tash ështe koha”

Ndërsa mbrëmë, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani për TV21 tha se BDI është fitues absolut i zgjedhjeve tek shqiptarët.

-Unë mendoj se BDI si fitues absolut i këtyre zgjedhjeve do të ketë mandatin për të formuar Qeverinë edhe pastaj si të tillë do të bisedojmë më partitë politike për të parë se kush do të duhet të jetë pjesë e Qeverisë tonë 4 vjeçare,- deklaroi Bujar Osmani, zdh. i BDI-së.

Por a do ta respektojnë parimin fituesi me fituesin për formimin e Qeverisë koalicioni AAA-ASH? Rexhepi pretendon se koalicioni “Tash është koha” nuk kanë thënë se do ta respektojnë këtë parim sepse e njëjta është shkelur më herët nga parti të tjera dhe është parim vetjak.

-Unë nuk njoh rregull që dikush nga përfaqësuesit tonë ka folur që ekziston parimi fitues me fitues nga fakti që vetvetiu e kanë shkelur edhe partitë më herët për ne është me rëndësi të jetë interesi shqiptar i parë. Nuk ekzistojnë parime të cilët i krijon dikush në mënyrë individuale vetanake. Ne nuk kemi thënë, nuk di përfaqësues të koalicionit “Tash është koha” , unë nuk kam ndonjë informacion,-pohoi Skender Rexhepi, nga koalicioni “Tash është koha”.

Por për këtë parim kanë folur disa përfaqësues të koalicionit ASH-AAA. Së fundmi, Halil Snopçe në Debate Zgjedhore pat thënë se absolutisht duhet të insistohet që të respektohet ky parim për shkak të keqpërdorimeve të mundshme.

-A.V: A jeni të gjithë dakort që ajo parti shqiptare që ka një deputet më tepër të jetë pjesë e Qeverisë apo kjo formulë nuk do të vlejë?

Absolutisht ne duhet të insistojmë si shqiptarë që ky rregull të vlejë çdo herë në të ardhmen sepse pastaj do të vije fenomeni I keqpërdorimit siç e përdortë Gruevski një kohë, tha Halil Snopçe nga koalicioni “Tash është koha”.

Ndërsa për koalicionet Rexhepi tha se presin që të definohen mandatet dhe se një koalicion i mundshëm është me LSDM-në se sa me VMRO-DPMNE-në dhe se nëse KSHZ rishqyrton rezultatin zgjedhor janë të bindur se do të ndryshoje numri i mandatave të deputetëve të koalicionit AAA-ASH.