Në një intervistë për tesheshi.com,  Zeqirja Ibrahimi nënkryetari i Besës bën  një  përshkrim të situatës  aktuale politike në Maqedoni

Në vazhdim intervista e plotë dhënë gazetarit Mensur Krasniqi

Asgjë nuk e ka zbutur situatën politike në Maqedoni, as Përzhinoja përgjithësi, as dorëheqja e Gruevskit në veçanti…vendi ndërkohë po shkon në zgjedhje me një parti. Ç’po ndodh realisht dhe a ka dritë në fund të tunelit?

Në të vërtetë, tashmë edhe zyrtarisht zgjedhje nuk do të ketë më 5 qershor, por kjo nuk do të thotë se kriza është tejkaluar. Madje, do të kisha thënë se gjendja është bërë edhe më e ndërlikuar. Më 28 maj kishim një tërheqje të pjesshme të faljeve të z. Ivanov, por kjo nuk është e mjaftueshme që të thuhet se gjendja po normalizohet. .

E sa për dritën e tunelit, do të thosha se drita e fundit në tunel duket në siluetën e Prokurorisë Speciale Publike. Ajo duket shpresa e fundit, por pushteti e pengon vazhdimisht atë dhe puna e saj realizohet me ngathtësi dhe shumë pengesa. Nëse arrin kjo prokurori t’i procedojë rastet e ngritura dhe nëse gjykatat nuk i sabotojnë kallëzimet penale të saj, mendoj se skena politike e Maqedonisë mund të pastrohet. Vërtet do të duhet dhjetëra politikanë të dergjen burgjeve, mes tyre edhe disa ndër udhëheqësit e partisë shqiptare në pushtet, por tashmë të gjithë janë bindur se shpresa e vetme dhe e fundit është kjo. Nëse nuk ndodhë kjo, atëherë Maqedonia mund të bëhet ndonjë tip Zimbabve e Mugabes.

E ndërkohë që klima e përgjithshme politike është konfuze, edhe në radhët e opozitës nuk ekziston ajo frymë që do mund ta sfidonte realisht pushtetin ekzistues. E kam fjalën për një bashkim parimor forcash, idesh, lëvizjesh. Kush po e pengon këtë?

Bashkëpunimet ndërmjet subjekteve të ndryshme duhet të jenë diçka e natyrshme, e vullnetshme, pa ndërkëmbëza… Nuk ka nevojë të sforcohet diçka që mbase edhe nuk shkon. Kjo më ngjan sikur të duash ta shtosh sasinë e ujit duke e përzier me vaj. Në atë mënyrë nuk ke as ujë e as vaj. Prandaj nuk jam tifoz i asaj se pa bashkëpunim të opozitës nuk arrihet suksesi. Madje, mendoj se sforcimi i temës së bashkëpunimit opozitar është diçka që më së shumti i konvenon partisë shqiptare në pushtet, që kështu të krijohet ideja se ajo nuk mund të fitohet nga asnjë forcë veçmas. Dhe, për fat të keq, në masë të madhe ia ka dalë.

Unë e mendoj të kundërtën. BDI-ja është e thyer mjaft, është e plagosur rëndë dhe i duhet vetëm një shkelm i mirë që të përfundojë në historinë e turpit dhe dështimit të shqiptarëve të Maqedonisë. Se kjo mund të bëhet dëshmoi protesta e 9 majit, që u organizua nga struktura e Lëvizjes BESA, por nën ombrellën e Këshillit Opozitar, si dhe me mbështetje vullnetare të partive të tjera opozitare e me mbështetjen fizike të mijëra shqiptarëve që sot janë opozitë – pavarësisht se cilën parti e përkrahin. Kështu në shesh para qeverisë u mblodhën mbi 30.000 shqiptarë dhe i thanë BDI-së se ajo nuk i përfaqëson më shqiptarët. Dhe, partitë opozitare shqiptare ishin aty sepse janë opozitë e jo sepse janë të bashkuara. Ato nuk u morën vesh paraprakisht që të jenë bashkë, por të gjitha ishin në sheshin e njëjtë dhe në anën e njëjtë. Ky është një model. Mjafton vota KUNDËR BDI-së dhe vota PËR opozitën shqiptare dhe BDI nuk mbetet në skenë.

Në një vështrim më të gjerë, pothuajse e në të gjithë hapësirat shqiptare, politika është në krizë. Mos është kjo diçka konspirative, apo është koha kur elitat udhëheqëse po shpërfaqin boshësinë e tyre vizionare dhe etike?

Kujtoj se, sipas shembullit të natyrës, funksionojnë edhe shoqëritë. Gjithçka e ka pranverën, verën, vjeshtën dhe dimrin e saj. Edhe klasat politike lindin, rriten, vyshken dhe pastaj kalben. Aq më i dhimbshëm ky proces është në shoqëri si këto tonat, që ende nuk e kanë marrë veten nga tranzicioni. Akoma ndjehen fosilet e ideologjisë jugosllave dhe enveriste, akoma kemi mendim totalitar, akoma politikanët ndjehen ekskluzivë dhe vetëbesimin e tyre e mbrojnë edhe me forcën që e kanë në dorë. Ndërkaq vlerat evropiane nuk mund të durojnë këso tipa politikanësh, andaj edhe epoka e tyre duhet të përfundojë. Për shkak të viteve të trazuara të tranzicionit e luftërave, mjaft prej tyre janë inkriminuar shumë, andaj shumë nga ata duhet të japin llogari, ndërsa shumë sosh e kanë hallin e mbrojtjes së pasurive që i kanë arritur. Mendoj se rajoni tashmë po pastrohet nga ky soj i politikanëve dhe në skenë po vjen një gjeneratë e re, që politikën nuk e sheh si afarizëm dhe biznes.

Besa tashmë është faktor në politikë, e dukshme kjo dhe nga qasja vlerësuese e të huajve ndaj saj, ku nuk janë të pakta vizitat e diplomatëve perëndimore në selinë e saj. Duke e lënë mënjanë për një moment modestinë, çfarë po shohin ata tek Besa dhe cili është vizioni i tyre për ta ndryshuar situatën?

Pas protestës së 9 majit, kur u delegjitimua partia shqiptare në pushtet dhe kur në shesh dolën mbi 30 mijë njerëz, edhe bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar se pa zërin e opozitës shqiptare nuk mund të merren më vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Në këtë frymë janë takimet dhe vizitat e ndërkombëtare në selinë tonë ose ftesat e tyre për t’i vizituar. Ata e kanë kuptuar se zëri i BESËS tashmë do të jetë, nëse jo i patjetërsueshëm, shumë i rëndësishëm për ta vendosur të ardhmen politike të Maqedonisë. Ndërkaq BESA nuk ngurron që atyre t’ua prezantojë platformën për dalje nga kriza dhe mendoj se ata tashmë e kanë kuptuar se kjo është një zgjidhje serioze. Për ata që i ndjekin rrethanat këtu, e dinë se qysh në marsin e vitit të kaluar ne kishim dhënë këtë ofertë, ndërsa Marrëveshja e Përzhinës një pjesë të atyre kërkesave i përfshiu. Madje, nëse nuk jam modest – siç kërkoni ju – mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare dhe faktorët vendorë po binden se kërkesa jonë për gjykatë speciale në Maqedoni ka qenë e drejtë dhe në këtë drejtim po shkojnë punët. Sigurisht ky vlerësim ka ardhur për shkak të seriozitetit tonë ndaj çështjeve.

Çdo parti mëton të sjellë një risi në jetën politike. Në gjykimin tuaj, cila është ajo risi që ka sjellë Besa dhe që po e instalon si standard në ofertën, komunikimin dhe etikën politike?

Vlera e parë e Lëvizjes BESA është vetë besa. Ne duam që një vlerë primordiale shqiptare, siç është besa shqiptare, ta përbrendësojmë në trajtë politike. Kjo i bie që politikanët shqiptarë edhe kur bëhen politikanë dhe të pushtetshëm, të mbeten përsëri shqiptarë. Ne mendojmë se shqiptarët kanë nevojë për t’ua rikujtuar se nuk janë dhe nuk duhet të jenë të gjithë shqiptarët besëshkelës që të thonë se “e zyrtarizojmë gjuhën shqipe” dhe kurrë nuk e bëjnë këtë. Ose, të thonë “e zgjidhim çështjen e ish-ushtarëve të UÇK-së” dhe kjo kurrë nuk bëhet. Ne mendojmë se kemi nevojë t’i rikthehemi vetvetes sonë, ta dimë se shqiptar i mirë është ai që e mban besën, andaj edhe identiteti jonë është pikërisht besa shqiptare. Ne jemi të vlefshëm përderisa jemi me besë dhe nuk vlejmë gjë prej gjëje kur nuk kemi besë.

Ndërkaq, sa i takon diskursit që e ka sjellë BESA, ky është diskurs që promovon komunikimin paqësor, jo të dhunshëm e joagresiv dhe, në anën tjetër, argumentues e të matur. Në këtë drejtim unë disa herë u jam drejtuar aktivistëve të BESËS se nuk guxojnë të lëkunden dhe të lëshohen në fjalor fyes e të ulët vetëm sepse dikush na vërsulet neve ashtu. Madje, po e shfrytëzoj edhe këtë rast për t’u thënë se për BESËN kundërshtar politik është vetëm BDI-ja dhe është e pafalshme ta huqim këtë e të merremi me opozitën shqiptare. Bile-bile, duke e ditur se për çdo sulm opozitar që na vjen neve, është BDI-ja ajo që rri anash e zgërdhihet, do të kërkoja nga të gjithë aktivistët tanë që edhe sulmet e tilla të mos i kthejnë ndaj atyre që i bëjnë sulmet, se ata mund ta bëjnë nga naiviteti ose nga porosia, por t’i adresohen atij që përfiton nga ato sulme, pra ndaj partisë shqiptare në pushtet. Natyrisht, edhe në atë rast me maturi, pjekuri e dinjitet. E sa u përket analistëve e opinionistëve, që ndonjëherë na kritikojnë me miqësi e dashamirësi e ndonjëherë edhe me tendencë e porosi, unë përsëri i lus aktivistët e BESËS që asnjëherë të mos zihen me ata. Sepse mendimi kritik, edhe kur nuk na vjen mirë hëpërhë, na këndell dhe na i hap sytë që të mos gabojmë. Ndonëse kjo nuk është tipike dhe standarde për politikën shqiptare në Maqedoni, kjo është ajo që na dallon dhe tipizon neve.

Pastaj: kemi thënë disa herë se për neve nuk është e rëndësishme vetëm fitorja, por janë të rëndësishme edhe mjetet me të cilat arrihet ajo. Ne nuk mund të jemi makiavelistë të skajshëm, siç ka ndodhur në të kaluarën: disa shqiptarë në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve kanë vajtuar dhe kanë vuajtur, ndërsa disa të tjerë kanë festuar. Fjala bie, atë ditë që partia shqiptare në pushtet në zgjedhjet vendore të vitit 2013 e festonte fitoren, shqiptarët e Lubotenit vuanin dhe vajtonin, sepse qeveria dhe presidenca e festonin kthimin nga Haga të kriminelit të luftës Johan Tarçullovski, i cili ishte gjykuar atje për vrasjen e civilëve në këtë fshat më 2001. Për ne edhe humbja edhe fitorja do të jenë ndryshe dhe kështu do të jetë pikërisht për shkak të standardeve të reja të vlerave që i synojmë dhe promovojmë ne.

Po përhapen shumë së fundi dhe video-skandalet, që, të fokusuara tek figurat politike, mbajnë erë shantazhi brenda; e që bie dhe erë Camorra në politikë. Si është qëndrimi juaj ndaj këtij fenomeni, meqë dhe opinioni maqedonas u trazua javë më parë nga një audio-inçizim me në fokus dy figura politike, njëra grua dhe nënë…      

Parimisht jemi kundër abuzimit me materiale të përgjuara. Aq më shumë e gjykojmë secilin abuzim me materiale të tilla që bëhet për të zhvatur dhe komprometuar dikë. Por, një e vërtetë tjetër është se këto materiale ishin përgjigjja se pse politikanët shqiptarë të pushtetit kanë qenë aq të dëgjueshëm dhe të nënshtruar ndaj pushtetit. Si njerëz mund të na dhimbsen, por ne nuk i gjykojmë ata në planin personal dhe human, por i shohim si politikanë. Mëkatet e tyre nuk janë mëkate që duhet t’i falë ose t’i ndëshkojë vetëm Perëndia, por janë mëkate për të cilat ata duhet ta marrin edhe dënimin e atij që e kanë tradhtuar, pra të votuesit shqiptar. Sepse, shqiptari i rëndomtë i Maqedonisë nuk u ka dhënë atyre pushtet që ata të abuzojnë në atë mënyrë dhe shqiptari i Maqedonisë nuk mund ta durojë diskriminimin për shkak të manisë ose dalldisë së tyre për pushtet, amoralitet ose para.

Le të rikthehemi sërish tek politika e ditës me zhurmnajën e vet. Si i shikoni lëvizjet e fundit të faktorit ndërkombëtar për zgjedhjen e krizës? A mos ka dhe aty gabime, mangësi, qasje jo të duhur…?

Në kohën e krizës së refugjatëve sirianë, në kohën kur Lindja po vlon nga luftërat, kur Perëndimi është trazuar nga sulmet terroriste, nuk mund të presim që faktori ndërkombëtar të na lusë dhe të na rrijë mbi kokë nëse politikanët qeveritarë të Maqedonisë janë kokëfortë dhe insistojnë të mbeten kriminelë dhe të korruptuar. Ata mund ta japin ndihmesën e tyre, mund të sugjerojnë, shpesh mund t’ua tërheqin vërejtjen për seriozitetin e punës, por ata nuk mund ta vuajnë se pse ne kemi politikanë që, edhe përkundër abuzimeve milionëshe mbi kurrizin e popullit, insistojnë që me çdo kusht të mbeten në pushtet dhe të mos përballen me drejtësinë. Fundja, nëse vullneti i qytetarëve të këtij vendi është të jenë mazohistë dhe të durojnë politikanë që e kanë futur në borxh vendin mbi 4 miliardë euro ose politikanë që edhe FBI-ja i heton për ryshfet, ndërkombëtarët nuk do të vijnë të vajtojnë me ne.

Unë nuk mendoj se ndërkombëtarët kanë bërë gabime, sepse ata i kanë agjendat e tyre të planifikuara dhe nuk dua që fajin tonë t’ia përshkruajmë dikujt tjetër. Faji është vetëm i joni dhe ky është faj që po e shpaguajmë të gjithë ne.

Ç’propozon konkretisht Besa si formulë daljeje nga kriza?

BESA qysh në marsin e vitit të kaluar e ka propozuar Platformën për Dalje nga Kriza “RIDEFINIMI”, me të cilën kemi paraparë masa afatshkurtra, si: qeveria e ekspertëve, regjistrimi i popullsisë, pastrimi i listës zgjedhore, themelimi i Prokurorisë Speciale, themelimi i Gjykatës Speciale dhe themelimi i një bordi të ri drejtues jopolitik të servisit publik informativ. Nga këto pika deri tash është implementuar vetëm Prokuroria Speciale dhe asgjë më shumë. Në fakt, këto u bënë pastaj edhe detyrime të Marrëveshjes së Përzhinës, të nënshkruar më 2 qershor 2015. Ndërkaq në masat afatgjata kemi propozuar hapjen e procesit të RIDEFINIMIT të gjithë sistemit politik dhe juridik të Maqedonisë, duke e vendosur shtetin mbi parimet e konsensusit maqedonaso-shqiptar, të mbështetur mbi liri, demokraci, barazi dhe drejtësi, zgjidhjen e problemit me emrin e shtetit dhe integrimin e detyrueshëm të vendit në BE dhe NATO. Nuk pretendoj se e kemi zbuluar ujin e ngrohtë, por mund të mburrem se kemi qenë të parët që e kishim dhënë këtë ofertë dhe koha po dëshmon se kemi pasur shumë të drejtë.

Tirana e Prishtina po duket sikur janë më afër njëra-tjetrës këto kohë të vështira. Duket se hera-herës marrin e japin për t’u dhënë zgjidhje çështjeve. A mos duket se ju kanë lënë pak mënjanë juve si faktor politik në Maqedoni?

Nuk mendoj se na kanë lënë neve në margjina, sa kujtoj se ato i kanë problemet e veta dhe nuk arrijnë ta tejkalojnë veten. Megjithatë pres që në të ardhmen ato të ndërtojnë politika më konkrete karshi çështjes së Maqedonisë dhe shqiptarëve në të. Rrjedhimisht, presim nga ato që shqiptarët e Maqedonisë të mos i shohin ashtu siç i paraqet partia shqiptare në pushtet, sepse ajo detyrimisht është fotografi e demonizuar, por të komunikojnë më shumë me ta drejtpërdrejt dhe të na shohin neve si komb që kemi nevojë për ndihmën e tyre, fundja edhe për këshillën, miqësinë e vëllazërinë e tyre.

Po thuhet se këto janë kohët më të vështira për Maqedoninë që kur është pavarësuar. Po më të mira a ka pasur ndonjëherë?

Është vështirë të flasësh për ditët e mira të Maqedonisë. Ky vend në vazhdimësi i riciklon krizat. Maqedonia është një shtet që është ndërtuar mbi pabarazi dhe kjo reflekton në vazhdimësi. Ky është vend ku shoqëria është multietnike, ndërsa shteti njëetnik. Dhe, duke dashur ta mbajnë shtetin “të mbrojtur” nga shqiptarët, kjo shpesh rrëshqet në partizim të shtetit dhe sjell këso pasoja siç janë këto sot. Ne mendojmë se Maqedonia mund të bëhet storje e suksesit vetëm nëse bëhet shtet njëmend multietnik, kur duhet të hiqet monopoli dhe tendenca e kombit shumicë, ku qytetarët nuk llogariten në bazë të përqindjeve, por në bazë të autoktonisë, vlerës dhe dobisë që ia sjellin këtij vendi. Ndërkaq ne jemi të gatshëm për këtë dhe jemi të gatshëm për këtë sot. Vetëm ashtu mund të shpresojmë për një Maqedoni të suksesshme. Eliminimi i pabarazisë dhe ndërtimi i shtetit multietnik është bazë e mirë për shtet koheziv. Këtë e dëshirojmë dhe për këtë angazhohemi. Në të kundërtën çdo 10-15 vite do të na përsëriten kriza të këtilla. Sepse makina e prishur nuk nxjerr produkte cilësore.

Para pak ditësh Lëvizja BESA ka prezantuar drejtorët dhe zv/drejtorët e Departamenteve. Kjo në një farë forme përbën “qeverinë nën hije”. A do jenë po këta njerëz ata të cilët, në rast se arrini të fitoni mandatin e popullit  në të ardhmen do të udhëheqin shtetin nëpër sektorët përkatëse?

Nuk është e thënë. Krijimi i departamenteve dëshmon për seriozitetin e punës së BESËS. Ata do të jenë mbikëqyrës të punës së qeverisë, por edhe do të ofrojnë politika autentike të BESËS përkitazi me ato sektorë. Natyrisht as nuk përjashtohet që dikush nga ata të jetë nesër drejtues i ndonjë resori të tillë. Hëpërhë nuk mund të flasim në atë temë.

A mendoni se gjinia femërore disi nuk përfillet nga partitë politike në Maqedoni? Pra, asnjë politikane femër nuk ka qenë pjesë përbërëse e ekipeve brenda 4 partive politike që kanë zhvilluar bisedime të shpeshta me përfaqësues ndërkombëtar për dalje nga kriza politike, e lëre të zënë ndonjërin nga funksionet kryesore në qeveri, si kryeparlamentare, kryeministreshë, pse jo edhe presidente e shtetit?

Për neve femra është më shumë se gjysma e shoqërisë. Ajo përveç që duhet të jetë kujdestare e familjes, është një subjekt serioz edhe në zhvillimet publike. Prania e saj e fisnikëron politikëbërjen, u jep ndjeshmëri vendimeve, ndërsa është dëshmuar se femrat janë më pak të prira për dukuri devijante si korrupsioni etj. Kur kësaj i shtohet edhe këmbëngulja jonë që ta kultivojmë dhe promovojmë standardin e moralit tonë familjar shqiptar edhe në jetën publike, mendoj se BESA është foleja e vërtetë e femrës shqiptare. Dhe, ky është një dallim që ofrohet nga ne. Ne synojmë që femrat e ardhura në BESË të jenë shembull jo vetëm për suksesin e tyre në jetë profesionale dhe familjare, por edhe në ndërtimin e modelit të femrave të dinjitetshme dhe të virtytshme. Mendoj se në këtë trazim vlerash ndërtimi i standardit të këtillë është më i rëndësishëm se përqindja e pjesëmarrjes së tyre.

Çka dallon Lëvizja BESA në këtë drejtim, e parasheh ndonjë zonjë si të parën e BESËS, në një të ardhme të afërt?

BESA nuk e përjashton mundësinë e tillë dhe kjo nuk varet nga burrat në BESË, por varet kryesisht nga gratë në BESË. Angazhimi dhe puna e tyre mund t’i sjellë ato në secilin post, përfshirë edhe postin e kryetarit. Dhe, kjo nuk duhet të shihet larg. Tashmë kemi një nënkryetare dhe për t’u bërë kjo duhet vetëm një hap më tej.

Për në fund edhe një pyetje. Në bazë të anëtarësisë së regjistruar, po edhe nga informacionet tjera në terren dhe anketat e ndryshme, nëse  mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sa deputetë mund të fitonte Lëvizja BESA?

Ndonëse të gjitha hulumtimet e bëra së fundi e nxjerrin BESËN forcën e dytë politike shqiptare në Maqedoni, madje dallimi mes nesh dhe partisë shqiptare në pushtet sa vjen e rrudhet, unë nuk do të kisha spekuluar. Por, për një gjë jam i sigurt: se BDI-ja nuk merr më votë të vullnetit të lirë. Krejt votat e saj janë të lidhura me klientelizëm, zhvatje, kërcënim ose kushtëzime të tjera. Sepse, një shqiptar atdhetar nuk mund ta votojë atë parti që e bëri skenarin e Kumanovës. Një shqiptar që kërkon drejtësi nuk mund ta votojë atë parti që i lejon shqiptarët të dergjen në burg përjetësisht. Një shqiptar i moralshëm nuk mund të votojë ata që mburren me amoralitet. Një shqiptar i dijshëm nuk mund ta votojë një parti që e merr ministrinë e Arsimit dhe mburret që brenda gjithë mandatit i ndërron dy emra shkollash. Një shqiptar besnik nuk mund ta votojë një parti që për 15 vite me radhë nuk i ka mbajtur premtimet. Prandaj ne jemi të sigurt se befasia e këndshme e këtyre zgjedhjeve do të jetë pikërisht Lëvizja BESA. Madje, mendoj se do të jetë befasi edhe për vetë neve. Siç na ndodhi në protestën e 9 majit – ne prisnim mes 15.000 dhe 20.000, ndërsa në protestë dolën mbi 30.000 njerëz. Mendoj se shpirti opozitar shqiptar është zgjuar dhe nuk ka forcë që e ndal këtë hov.

Aq më tepër që shumë shqiptarë që sot rrinë andej për shkak se janë të detyruar, qofshin administratorë, punëtorë, arsimtarë etj., me fitoren tonë presin të çlirohen nga prangat e partisë që tash është në pushtet. Sepse, ne e kemi thënë, fitorja jonë nënkupton se askujt askush nuk guxon më t’i hakmerret për shkak të bindjeve politike. Dua t’ju bind se fitorja jonë nuk është më vetëm kërkesë e jona, por është bërë nevojë e shqiptarëve të Maqedonisë.

Dhe në fund, zgjedhja Sadiq Khan, një muslimani emigrant në krye të Bashkisë së Lodrës, ishte një afirmim sui generis i funksionimit të multikulturalizmit. E kur ndodhi në Londër, do ishte shumë më normale dhe e natyrshme të ndodhte në Shkup, por që deri më tani mbetet një iluzion. Ç’duhet të ndodh që kjo të bëhet realitet një ditë dhe a do të bëhet?

Kur u zgjodh Sadiq Khan kryebashkiak i Londrës, në profilin tim në FB shkrova për paradoksin se në Londër një fëmijë emigrantësh bëhet kryetar i Qytetit, ndërsa në Shkup një shqiptar autokton nuk mund ta ëndërrojë një gjë të tillë. Për fat të keq kështu është. Prandaj po punojmë dhe do të punojmë t’i bindim të gjithë se shqiptari nuk është rrezik për Maqedoninë dhe për Shkupin, por është një vlerë shtesë, aq më shumë për pushtetin lokal, ku nuk duhet të gjykohet askush për shkak të përkatësisë së tij etnike dhe partiake, por për shkak të dijes, ofertës dhe mundësisë që të bëjë diçka të mirë për qytetin e tij. Ai është një shembull i mirë që flet se sa janë londinezët larg, por – për fat të mirë – flet edhe për shtegun nëpër të cilin ne duhet të ecim.

Dhe a do ishte një besatar i denjë për ta drejtuar kryeqytetin e Maqedonisë (për pak humor: jo domosdoshmërisht juve)?

Kur flasim për identitetin qytetar në Shkup, para se të jemi çfarëdo tjetër, ne jemi shkupjanë dhe askujt nuk ia lejojmë të na e kontestojë këtë. Sa e do Shkupin një maqedonas i Shkupit, po aq e dua edhe unë. Andaj, kur Shkupi sakatohet e bastardohet – siç ndodhi me projektin antishqiptar “Shkupi 2014” (të mbështetur edhe partitë e deritanishme shqiptare në pushtet) – unë e vuaj, sepse, përveç gjeografisë, aty po ma vjedhin edhe historinë e qytetit tim.

Andaj do të doja që në të ardhmen Shkupin ta drejtojë një besatar, që ky qytet të kthehet në atë që ka qenë gjithmonë – një sinapsë kulturash, etnish dhe religjionesh, në një qytet ku kultura urbane i tejkalon ndasitë dhe ndërton tipin e modelit të qytetarit të Maqedonisë. Dikur këtë rol e ka pasur Çarshia osmane në Shkup – që ka shërbyer si strumbullari i qytetarisë në Qytet, por me kalimin e kohës epiqendrën e Shkupit e kanë zhvendosur dhe neve na kanë përjashtuar nga Qyteti. Megjithatë kujtoj se Shkupi është dhe mund të jetë QYTET vetëm nëse e merr atë model. Ndryshe është një surrogat që nuk i bën përshtypje askujt dhe me të cilin secili tallet dhe qeshet. /tesheshi.com/