Kandidati demokrat për President Bernie Sanders deklaroi përpara mbështetësve të tij se nëse fiton në New Jersey dhe Kaliforni ai do të vazhdojë luftën për tu shpallur zyrtarisht kandidat në Konventën e partisë demokratike në Philadelphia.

“7 qershori është një ditë shumë e rëndësishme, ku do të votohet në New Jersey dhe Kaliforni. Nëse fitojmë në këto dy shtete, më pas edhe në disa të tjerë, atëherë do të shkojmë në konventë për të fituar kandidaturën për president”- deklaroi Sanders gjatë një takim në Atlentic City.

Ai vazhdoi duke i kërkuar mbështetësve të tij të mos dorëzohen dhe të mos mendojnë që kjo garë ka përfunduar. Kur kanë mbetur edhe pak shtete për të votuar, Hillary Clinton është në avantazh ndaj Bernie Sanders. Ky i fundit ka pranuar në disa intervista se rruga e tij drejt fitores sa vjen e po ngushtohet, megjithatë senatori i Vermontit nuk kërkon të heqë dorë pa provuar deri në koventën që do të mbahet në muajin Korrik.

Në këtë rast vendimi i Sanders është krejt tjetër nga ai i marrë nga 2 kandidatët republikan për rpesident Ted cruz dhe john Kasich, të cilët duke parë diferencën me Donald Trump u tërhoqën nga gara.