Përkundër temperaturave nën zero, objekti i njësisë së zjarrfikësve të Tetovës ende pa ngrohje qendrore. Zjarrfikësit që kalojnë 24 orë në këtë objekt, mundohen të ngrohen përmes kaloriferëve që vet i sjellin nga shtëpitë e tyre. Punëtorët thonë se kjo fotografi përsëritet çdo vit. Pos ngrohjes, zjarrfikësit e Tetovës përballen edhe me mungesën e kushteve tjera. Gjithë interieri i objektit daton që nga sistemi komunist

“Para janarit asnjëherë ne nuk kemi pasur naftën e duhur. Objekti është i madh dhe ngrohemi me pajisjet që i marrim prej shtëpie. Ne kërkojmë që prefekti i tanishëm direkt Teuta Arifi, të vijë një ditë të na vizitojë dhe të na sigurojë naftë për ngrohje. E për dhomat e fjetjes më mirë mos flasim. Shumë gjëra na mungojnë këtu neve por s`kemi kujt t`i drejtohemi”, thotë një zjarrfikës.

Ndër problemet kyçe me të cilët përballen zjarrfikësit është edhe mungesa e makinave dhe pajisjeve për luftën me zjarrin apo vërshimet.

“Me automjete jemi mjaft të dobët, pasi që mbulojmë një territor jashtëzakonisht të madh dhe këta automjete që kemi tanimë janë të amortizuara, pajisje kundër zjarrit dhe shpëtimit të qytetarëve kundër zjarrit dhe vërshimeve siç i patëm tre vitet e fundit. Dhomat i kemi që nga sistemi i mëparmë apo nga një kohë më e vjetër ende i kemi ato dhoma që i përmendët por mendoj se në të ardhmen do i rregullojmë”, tha Uka Aliti, komandant i NJTKZ, Tetovë.

Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë, vetëm këtë vit ka pasur mbi 600 intervenime kundër zjarrit, por që siç thonë të punësuarit, janë realizuar me vështirësi të shumta. /Alsat/