ZULLUMI QEVERITAR U PËRBALL ME MLLEFIN QYTETAR

.

Para disa ditësh Isa Mustafa tha se do ta zbatojë “Zajednicën” pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se opozita nuk ka mbështetje dhe se nuk po i dalin njerëzit në protesta.

Sot, qytetarët ia dhanë përgjigjen qeverisë Mustafa, duke dalë në protestën më të madhe të zhvilluar në Kosovë që prej pasluftës. Rreth 100.000 pjesëmarrës i kanë mbushur rrugët dhe sheshet e Prishtinës, të ardhur nga gjithë qytetet e fshatrat e Kosovës, si dhe nga vise të tjera nga trojet shqiptare dhe nga diaspora.

Organizimi i protestës ka qenë tepër korrekt. Siç u tha edhe në tubimin e sotëm, protestuesit vetë shënojnë ardhjen e një kohe të re për Kosovën, e për të gjithë, pa dallim.

Policia që prej orëve të para të ditës në disa raste ka provokuar protestuesit duke ndalur shumë autobusë e duke i penguar qytetarët të vijnë në Prishtinë.

Në përmbyllje të protestës, shumë qytetarë kanë reaguar spontanisht duke protestuar me vendosmëri ndaj ndërtesave qeveritare. Mllefi i qytetarëve që po shprehet në përballje me policinë është rezultat i insistimit të Isa Mustafës për të ruajtur Zajednicën dhe pushtetin e vet personal. Ne shprehim keqardhje për çdo incident, por nënvizojmë se shkaktari kryesor edhe i këtyre incidenteve është mos-reflektimi i qeverisë përballë reagimit kaq të fuqishëm qytetar.

Qeveria duhet ta dijë se pas gjithë zullumeve të saj, duke përfshirë edhe shkeljen e vetë Kushtetutës, është vështirë që qytetarët do të mbeten të qetë. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Për t’u qetësuar qytetarët, nevojitet dorëheqja e menjëhershme e qeverisë Mustafa.

Askush dhe asgjë nuk mund ta zbehë mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës sot me pjesëmarrjen e tyre masive në protestën e madhështore e paqësore kundër “Zajednicës”, demarkacionit dhe qeverisë antikushtetuese.

Protestat vazhdojnë!

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën

protest1protest 5protest3protest4protest2protest 6protest 7protest8protest9