Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov ka reaguar për zhvillimet e fundit në Agjencinë për Fonde Evropiane, që sipas hulumtimi të “A1on”, doli se projektet që financohen nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit Erasmus+, kanë përfunduar në trajnimin e gomerëve dhe kuajve si dhe tek një parukiere.

NIKOLLA DIMITROV, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE

“I lexova informacionet e reja të serisë së gazetarisë hulumtuese rreth gjendjes në Agjencinë Nacionale për programe arsimore dhe mobilitet. Përshtypja është shqetësuese. Urgjentisht duhet të zbardhet rasti në tërësi. Duhet të hetohen të gjitha dyshimet dhe të zbardhet tërë pasqyra, sepse për shtetin vetëm një gjë është turp i madh nga spekulimet për dyshime për keqpërdorim të mjeteve të tatimpaguesve evropianë – dhe ajo është nëse në ato dyshime ka të vërteta”.

Të njëjtën e ka kërkuar edhe zëvendëskryeministri për luftim të korrupsionit, Ljupço Nikollovski.

LJUPÇO NIKOLLOVSKI, ZV/KRYEMINISTËR PËR LUFTIMIN E KORRUPSIONIT

“Qeveria dhe unë si zëvendëskryeministër pres nga organet kompetente, që në afat sa më të shpejtë të realizojnë procedura adekuate, ta shqyrtojnë rastin dhe në kohë të informojnë për epilogun dhe gjetjet e tyre, gjegjësisht fazat e procedurës. Paralelisht me këtë, nëse vërtetohet se ekziston lëshim te funksionarët, në bazë të kodit etik do të kërkohet edhe përgjegjësi politike”.

Afera me keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian ka disa ditë që ka dalë, ndërsa në qendër të akuzave është drejtoresha e Agjencisë për Fonde Evropiane. /SHENJA/