Haga fton një epror të lartë të UÇK-së, dyshohet për krime kundër popullatës civile

Një nga themeluesit e parë të UCK-së, është ftuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte kundër popullatës civile.

In Article – Munevere

Mahir Hasani, një nga komandantët e UÇK-së, që është marrë më Zbulim kundër Zbulim, dyshohet se është i përfshirë në një rast të vrasjes së civilëve serbë në Zoqishtë të Rahovecit.

Hasani, është dekoruar muajin e kaluar me Medalje Presidenciale të 10-vjetorit të Pavarësisë. Mes të dekoruarve janë edhe Kadri Kastrati, Binak Gashi, Mensur Kasumi, Hysni Ahmeti dhe dëshmori Agim Qela.

Mahir Hasani dhe Hashim Thaçi

“Kosova e kishte krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, para se ta shpallte pavarësinë e saj. Një dekadë pas, në këtë fundvit kur unanimisht në Kuvend u votua krijimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës, me Medaljen Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë i dekorova disa prej oficerëve të parë të UÇK-së”, pati njoftuar Thaçi.

Insajderi ka mësuar se Hasani, është konsultuar dhe ka marrë këshilla nga Ministria e Drejtësisë së si do të veprojë para udhëtimit në Hagë. Ka folur edhe për pagesën e një avokati mbrojtës që do ta përfaqësojë gjatë intervistimit si i dyshuar për krime lufte. Tashmë e ka angazhuar njëri prej tyre.

“I dyshuari tashmë ka ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtje. Ka folur me disa avokatë të licencuar në Dhomat e Specializuara”, ka thënë një burim.

Hasani, vlerësohet se ka pasur rol të madh në Zonën e Pashtrikut. Në ftesën e Prokurorisë shkruan se Hasani, ftohet në cilësi të të dyshuarit për krime lufte.

I kontaktuar nga Insajderi, Hasani ka mohuar se ka marrë ftesë.

“Jo bre nuk është e vërtetë, kush ju tha juve”, ka thënë shkurt Hasani për Insajderin.

Hasani, aktualisht është koordinator i Qendrës Operative Emergjente në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ndërkohë, më 9 janar pritet të shkojë në Hagë, Sylejman Selimi , ish-komandant i Përgjithshëm i UÇK-së.

Selimi, është i dënuar për krime lufte në Kosovë më 7 vjet burgim. Është duke vuajtur dënimin.

Ftesë për Hagë ka marrë edhe Sami Lushtakun, ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Rrustem Mustafa ish-komandat i Zonës Operative të Llapit, Nazif Mehmeti, vartës i tij. Në Kosovë deri tash janë intervistuar, Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së dhe Safet Syla.

Më 14 janar në Hagë do të paraqitet edhe Sabahajdin Cena, drejtor i Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut.

Një epror i UÇK-së, tashmë është arratisur. Remzi Shala, i njohur si “Molla e Kuqe” i cili ka qenë duke u gjykuar për krime lufte në Kosovë, ka refuzuar të bashkëpunojë me Hagën.

SHPËRNDAJE