Organizatat kriminale shqiptare që veprojnë në Itali kanë rritur aktivitetin e tyre duke lidhur aleanca me grupet mafioze më të rëndësishme që veprojnë atje.

Këto deklarata i bëri sot në Tiranë Drejtuesi i Prokurorisë së antimafias italiane Federico Cafiero De Raho, i cili pati takime me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Kryeprokuroren Arta Marku.

Sipas  De Raho, forcimi i organizatave shqiptare ka ardhur dhe si pasojë e përfshirjes së tyre në ekonominë e ligjshme dhe lidhjeve me një pjesë të politikës. Ai u shpreh se mes dy vendeve ka një synim serioz për të mposhtur krimin e organizuar.

Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë për të goditur grupet kriminale shqiptare që veprojnë në të dy vendet ishin në qendër të takimeve që kreu i Prokurorisë së antimafias italiane Federico Cafiero De Raho pati sot në Tiranë.

Ndër vite organizatat shqiptare kanë shtrirë aktivitetin në shumë zona të Italisë, nga Jugu deri së fundi në disa pjesë të Veriut, falë dhe lidhjeve të vendosura me grupet mafioze italiane, që nga Sacra Corona Unita, te Ndrangheta, gjë që i ka lejuar atyre të përfshihen dhe në trafikun e kokainës.

“Krimi shqiptar ka arritur një nivel të tillë zgjerimi në territor, pikërisht për shkak të aftësisë, jo vetëm për të administruar trafiqet e veta, por edhe për të lidhur aleanca me organizatat mafioze italiane, përveçse të hyjnë dhe në ekonominë e ligjshme dhe të kenë raporte me një pjesë të politikës”, u shpreh  De Raho.

Për kreun e antimafias italiane është e qartë se të arrish në nivele të tilla do të thotë që kriminaliteti shqiptar nuk ka hasur në pengesa të forta në territor dhe se për disa vite, struktura të caktuara që duhet ta luftojnë nuk kanë funksionuar si duhet. Por shtoi ai “këtë vetëdije e hasëm sot te ministri i Brendshëm i cili ka ndërmarrë disa masa që janë një sinjal i qartë për të mposhtur krimn e organizuar. Ndërkohë që nga ana tjetër bashkëpunimi që po vazhdon mes autoriteteve gjyqësore dhe forcave të policisë mes Italisë dhe Shqipërisë dëshmon se ka një synim të qartë nga të dyja palët për të mposhtur krimin e organizuar shqiptar”.

Palët po kryejnë prej disa kohësh hetime të përbashkëta përmes grupeve të përbashkëta hetimore.

De Raho vlerësoi angazhimin e palës shqiptare sidomos në ruajtjen e sekretit, gjë e cila siç tha ai “është shumë e rëndësishme për besimin reciprok”. Ai e konsideroi si një instrument të rëndësishëm ngritjen e Task Forcës për goditjen egrupeve kriminale në Shqipëri apo dhe procesin e spastrimit të radhëve të policisë.

“Eshtë një sinjal i qartë për seriozitetin në luftën kundër krimit, sepse që të kesh rezultate është e nevojshme një strukturë e besueshme dhe të identifikosh njerëzit me besueshmëri”, u shpreh kreu i antimafias italiane.

Ai tha se mbetet ende shqetësim trafikimi i marijuanës drejt Italisë, duke theksuar se nisur nga rezultatet e vitit të shkuar kur numri i sipërfaqeve të mbjella u reduktua në mënyrë drastike, duket se ajo që po shkon ende drejt Italisë është sipas tij ajo pjesë e fshehur nëpër magazina”. /VoA/