Marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë mund të konsiderohen plotësisht të ripërtërira, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në takimin e sotëm me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan në Soçi.
Presidenti rus theksoi se Moska dhe Ankaraja e vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në pothuajse të gjitha fushat, duke përfshirë sferën e sigurisë dhe përpjekjet për të zgjidhur krizën siriane.
Putin gjithashtu tha se shkëmbimi tregtar dypalësh është rritur për 38 për qind në nëntë muajt e parë të vitit.

Erdogan në takimin me Putinin tha se me fillimin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, takimet e shpeshta të liderëve dhanë shtytje për marrëdhëniet dypalëshe.
“Marrëdhëniet tona dypalëshe, si dhe bashkëpunimi në zgjidhjen e çështjeve rajonale, na japin mundësi që së bashku të shohim për të ardhmen”, tha presidenti turk.
Sipas tij, bashkëpunimi politik, ushtarak, tregtar dhe kulturor turko-rus, po përforcohen nga dita në ditë.

Erdogan gjithashtu e ka njoftuar Putinin për planet e tij që pas Soçit t’i vizitojë Kuvajtin dhe Katarin.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu, i cili është në përbërjen e delegacionit turk që ndodhet për vizitë në Soçi, ka deklaruar se Rusia dhe Turqia po kërkojnë zgjidhje politike për konfliktin sirian.

Ai gjithashtu e ka komentuar edhe deklaratën e presidentit turk se Rusia dhe SHBA duhet t’i tërheqin ushtritë nga Siria.