(Një shkrim nga Taulant Sula, në të cilin trajtohet e shkuara jo e largët, aktualiteti dhe e ardhmja hipotetike e Universiteteve në Shqipëri)!

Ka pak ditë që janë nisur të ndërtohen anijet të cilat do të hidhen pas ca kohësh në lundrim… Në një det të pafundëm, me plot të papritura dhe sfida. Gjithçka është në duart e “FABRIKËS”. Varet çfarë materiali do të vijojë ajo të punojë; prej letre, prej druri, prej metali… Përzgjedhja e materialit bëhet në fillim. Fillimi është gjysma e punës. Gjysma tjetër është lesh e lí, sepse thuajse gjithmonë janë bërë ngatërresa; materiali i letrës dërgohet tek sektori i metalit; materiali i metalit tek sektori i letrës; i letrës tek i drurit; i drurit tek i metalit; i metalit tek i drurit e me rradhë e me rradhë.

Të gjithë mburren se sektori i tyre është më cilësori dhe se produktet që prodhojnë kanë kapacitete për të qëndruar dhe lundruar sa më gjatë mbi ujë (edhe kur ujërat herë pas here nervozohen). Ka edhe “Fabrika” të cilat e dinë se ujërat janë tërhequr, se detet janë drejt tharjes, se anijet po shkojnë drejt padobishmërisë. Se nuk u është më aq shumë nevoja, e mbase një ditë nuk do t’ju jetë fare. Deti ka shterruarr! Për t’a kapërcyer atë kënetë dhe baticë duhen mjete të tjera të përshtatshme. Por “Fabrikat” vijojnë të prodhojnë produktin e njëjtë.

Problemet pjellin probleme!
Materiali është në duart e “fabrikantëve” të “Fabrikës”. Një shpellë e errët me një dritë të varfër në majë të kupolës që s’shërben veçse për të parë katrahurën që po “shpiket”. Punëtorët nuk kombinohen me njëri-tjetrin. Pavarësisht se janë të barabartë në skllavërinë e sistemit të punës, ata edhe grinden e shqyhen me sho-shoqin. Njësoi si pronarët, të cilëve i’u duket vetja pashallarë (dhe në fakt janë), në çifligun e tyre. Ata mungojnë vazhdimisht në drejtimin e tij por, habitërisht, mendojnë në mënyrë të vazhdueshme për ekspansionet e çifligjeve përkatëse.

Me që jemi tek eprorët!
Ata jo vetëm që nuk duhej të ishin drejtues, por duhej të ishte normë mos lejimi i llojit të tyre në “Fabrikë”. As dreqi nuk e merr vesh se ç’kërkojnë të paaftë të tillë aty(?)! Ata i kanë marrë dhe vijojnë t’i marrin në qafë anijet. Parim kryesorë kanë pasurimin marramendës, të shpejtë e pa u lodhur hiç.

Shpesh herë ndodh që një ose disa m’vartës të eprorëve, me vizionin dhe zhdërvjelltësinë e tyre, të ndershësh natyrisht, prekin interesat e drejtuesve të paaftë. Këta të fundit përdorin sulmin si mënyrën e duhur për t’u mbrojtur. Bëjnë shantazhe, manovrime pa etikë, deri kërcënime e hipoteza të llojit “largim nga puna”, “përndjekje e të afërmve në profesionet e ndryshme që ushtrojnë”, e më keq akoma paralajmërim dhe kanosje me jetë nga monstra gjakpirëse të komanduara prej tyre. Por ndodh edhe e kundërta, kur këta palo eprorë bëhen kukulla të këtyre monstrave. Këta thjeshtë i mbulojnë sepse shpesh “ligjin” e bëjnë ata.

Vazhdojmë me procesin e punës!
Më saktë, puna akoma nuk ka nisur. Edhe pse gumëzhin, nuk ka lënë të kuptohet se aty po punohet. Në fakt aty nuk po punohet, gumëzhijnë materiale pa kokë të cilat grupohen në tufa për të gjetur vendin për të cilin kanë ardhur që të arrijnë objektivin e vendosur. Mjetet në funksion të punëtorëve janë të pakta, jo të duhurat. Edhe këto pak mjete sigurohen jo shumë kohë përpara testimit.
Materialet punohen shkel e shko. Përveç taksës së përcaktuar dalin edhe shumë taksa me vlerë edhe më të larta se ato të paracaktuara. Ka materiale të cilat vijnë të përgatitura dhe kërkojnë të çojnë përpara njohuritë dhe vetë “Fabrikën”, por gjejnë një “STOP” nga drejtuesit sepse thuhet se kanë frikë që ju kërcënohet vendi i punës. Duke i patur nën thundër, duke i lënë në terr dhe status-quo, e kanë më të lehtë t’i komandojnë. Ka nga ata që tërhiqen nga hapat e parë, ndoshta për të shkuar në një tjetër “Fabrikë” për të cilën mendojnë se është më e mirë. Por ka edhe nga ata që tërhiqen nga kjo rrugë ku disa herë ka rezultuar më fryt-dhënëse!

Koha kalon shpejt!
Procesi i punës është shumë i ngadaltë. Janë akoma tek skica kur në fakt duhej të ishin duke i dhënë llustrimin. Disa anije konsistojnë të jenë përpara të tjerave, ndoshta për shkak se posedonin kushte më të favorshme.

Vjen momenti i shumëpritur nga të gjithë!
Puna disa vjeçare të testohet dhe të dalë në det të hapur. Por s’duhet të harrojme se sa është ecur në këtë drejtim, pra jemi tek SKICA!!! Nga presioni i madh dhe dëshira për të dalë në det sa më shpejt, Anijet (skicë), janë të detyruara të zbazin hambarët, të shesin gjakun dhe nderin, të kërkojnë borxhe me idenë se do t’i kthejnë sapo të kapin peshqit e parë në lundrim! “Fabrikantët” fërkojnë duart dhe njëkohësisht janë me lotë në sy. Fërkojnë duart se po paguajnë taksa, taksa që pas tyre do vijojnë t’i paguajnë të tjerë, sikurse këta do vijojnë të paguajnë taksa të tjera. Me lotë në sy, të zhvatur dhe të dëshpëruar për kohën që kaloi shpejt. Kush do t’i zhvasë tani dhe nga ç’zhvatje shpëtuan???

“Fabrika” tani punon vërtetë. Po po, ka nisur puna që duhej nisur që momentin e parë dhe po bëhen procese që duheshin bërë që javët e para. Prodhohen në seri anije të cilat më shumë ngjasojnë në trape. Megjithëse ato vetëm sa po qëndrojnë mbi ujë, nuk plotësojnë objektivat. A mundet vallë që drejt së ardhmes të lundrojmë mbi trape(?)! Trapeve u hyn ujë por qëndrojnë, sikurse ka anije të cilat me punën individuale i janë përshtatur kohës. Kanë një mekanizëm që drejton, një bord që kryesohet nga kapiteni dhe në anije gjejmë disa mjete të ditëve të fundit (në fakt të gjitha anijet duhet të kenë mjete të ditëve të fundit, ato më të domosdoshmet), një trap dhe disa vegla të dala boje.

Trapat vlerësohen maksimalisht si arritje madhështore, kur në fakt janë thjeshtë trape. Trape që në ujërat brenda shtetit lundrojnë me mik e rryshfet, ndërsa në ujërat e jashtme s’njihen fare ose shërbejnë tek e fundit për të mbajtur zjarrin… E kundërta ndodh me anijet. Ato e meritojnë emrin që mbajnë por nuk konsistojnë e për rrjedhojë nuk konsiderohen në nivelin e peshës që duhej të kishin realisht. Ani se janë pothuajse totalisht të kompletuara për të dalë në det të pavarura, vlerësohen baraz me trapat ( jo rrallë edhe më dobët), sepse është koha e trapizmit.
……………
Të shkundur e të tundur trapave nuk u ka mbetur asnjë kacidhe më në xhep. Ata janë gati të sakrifikohen!

Fundi i fatit të anijeve asnjëherë nuk dihet.
Ka nga ato të cilat nuk nisen dot kurrë në lundrim me qëllimin për të cilin u krijuan, por ka edhe më keq, disa nuk kanë as “nderin” të ankorohen pranë anijeve të tjera. Sepse gjithnjë e më tepër po vihet re se kohët e paragjykojnë njëra-tjetrën.

“Fabrika” ka pak ditë që ka nisur të gumëzhijë sërisht.
Ajo do të gumëzhijë si zakonisht, e si zakonisht edhe e ardhmja do vijojë të gumëzhijë nga trapizmi i çertefikuar! Fasonëritë mund të vijnë duke u shtuar ose duke u pakësuar. Kjo nuk ka aspak rëndësi. E rëndësishme është çfarë ato prodhojnë, e mbi të gjitha domosdoshmëri është që të marrë fund njëherë e mirë abuzimi. Pra, “Fabrika” e Çertefikuar për Prodhimin e Anijeve të prodhojë Anije. Dhe “Fabrika” e Çertefikuar për Prodhimin e Trapave të prodhojë Trapa…!!!