Shkruan Skender Skenderi

Veprimet e fundit të kryeministrit Zaev Zoran rastësisht apo me paramendim ngjajnë bukur mirë me veprimet e krerëve partizanë të cilët e sollën komunizmin, të cilët gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore lusnin e përkuleshin para shqiptarëve që ta luftojnë fashizmin. Komunistët në lutjet e tyre drejtuar shqiptarëve nuk harruan t’ua përmendin shqiptarëve flamurin kuq e zi të Skënderbeut duke ua lartësuar lartë këtë flamur e duke i lutur ata mos të lejojnë që dikush t’ua shkel këtë flamur. Shqiptarët luftuan në Srem të Kroacisë e deri në Slloveni, lanë trupat e djemve të rinj vendeve të huaja. E kur komunistët erdhën kalbën nëpër burgje shqiptarët që i lusnin të luftojnë kundër fashizmit. Flamujt ua morën e i harruan fjalët e mëparshme. Ata dënuan me burgje e likuidim edhe vetë komunistët e devotshëm shqiptarë.

Njëjtë si në atë kohë edhe gjatë kohës së protestave e përpjekjeve për ta rrëzuar regjimin e VMRO-s me BDI-në shqiptarët nuk u trembën ta shembin me protesta e me vota atë regjim, të cilin maqedonasit vet kishin frikë ta rrëzojnë.

Mirëpo si dikur me partizanët që dolën gënjeshtarë edhe këto “naslednikët” e tyre po dalin me metodën e njëjtë si ata. U rrëzua regjimi i pjesës së tyre dhe tani harruan kontributin dhe shpresën e shqiptarëve për pastrim të bërllokut kudo që është.

Tani mbrojnë BDI-në, mbeturinën e regjimit të VMRO-s. Po për çka u duhet ky yrnek? Tua tregojë si keqpërdoret pushteti me metodat e përpunuara mirë?

Shqiptarët dhanë hisen e tyre për t’u shembur VMRO-ja, ndërsa tani do ta shembin edhe mbeturinën e atij regjimi BDI-në, me apo mbështetjen e LSDM-së.

Sot është dita e VMRO-s, 23 tetori. Për hair u koftë LSDM-BDI-së sepse po ndjekin rrugën e saj.