Politika nuk është udhë që kalohet, por urë që lidh bindjet për ndryshimin e domosdoshëm. Sigurisht, Kim Mehmeti është i vetëdijshëm për këtë paraqitje ideore, thotë në reagimin e tij zëdhënësi i LR-PDSH-së, Elmir Sejfullahu.

“E kuptojmë shqetësimin dhe brengën e tij, andaj dhe ai duhet të kuptojë realitetin e çdo kujt në angazhimet politike të gjithësecilit. Kimi mund të shprehë idetë dhe inatet e tij në politikë, por jo dhe të rebelohet ndaj z. Sela për aftësitë e tij kreative në politikë, pasi përvoja është një hap më larg që ai kërkon ta ketë te vetja si personalitet kontrovers tashmë që gjithkush e sheh përmes Këshillit të tij Opozitar. Sela në politikë ka ardhur si nevojë dhe falë mjeshtërisë së tij të lindur për ndryshim. Kim Mehmeti do të duhej ta kthjellonte çdo pikëpamje të tij krahasim me Ziadin Selën, pasi populli i ka sprovuar dhe dëshmuar veprimtarinë politike të tij me mandat si kryetar i komunës së Strugës, dhe Kimi duhet ta kuptojë se me lojë dhe mashtrime nuk e kthen gjendjen reale në formë të hamendjes. Populli e di se Z. Sela nuk luan lojë për të fituar mandatin e dytë në komunë, se atë e fitoi me vullnet dhe guxim politik të ndershëm. z Sela është për bashkimin e opozitës shqiptare, ndërsa z. Mehmeti duhet ta kuptojë këtë ftesë bashkëveprimi si mundësi të mirë për popullin shqiptar, dhe jo si mundësi për interesin e klikës politike. Së fundmi, Ziadin Sela ka dhënë sinjalin e bashkëpunimit opozitar, dhe tani Kim Mehmeti le ta mendojë këtë sinjal për të mirën e popullit. Ose nëse nuk mund të mendojë nismën, atëherë populli do t’ia kujtojë Kimit afërsitë e tij me klikën maqedonase”, thotë Sjefullahu.