Kimete Berisha

Kthesa më e fortë dhe më ‘dramatike’ që ndodh në secilën dasëm shqiptare është ajo kthesa, kur Meda ose naj kipc i tij e këndon këngën ‘dashni e vjetër’.

Kur ja nis ‘Dashni e vjetër’, a e keni vërejt’, qysh papritur e pakujtuar, sikur dridhet toka, çohen të gjitha gjeneratat e grave e vajzave dhe këndojnë e vallëzojnë me sa fuqi që ua ka dhënë Zoti, dhe duket sikur papërjashtim ndjejnë që e njejta këngë është shkruar enkas për secilën nga to veç e veç!

E kam analizuar këtë moment ‘dramatik’.

Kur i këndohet ‘dashnisë së vjetër’, duket sikur në mënyrë të orkestruar dhe të organizuar të gjitha femrat dalin nga lëkura e tyre, ngriten në këmbë dhe me fundin e fundit të barkut i këndojnë dhe i vallëzojnë një dashurie që nuk ekziston më, një ëndrre të vjetër, një dashurie të madhe, si nëpër romane, një dashurie ‘romantike’!

Jashtë romanit dhe letërsisë, secila dashuri është e vrazhdtë dhe prozaike!

Dasma e dikujt matanë rrugës tani në këto momente e mori kthesën e saj të madhe, nirvanën e nirvanës, të gjjthë ‘jasha’ se filloi kënga ‘dashni e vjetër’.

Martohen shqiptarët duke i kënduar ‘dashnisë së vjetër’!!!
Në këto çaste, po e dëgjoj nga larg, por për herë të parë nuk po ngritem në këmbë qysh u ngritsha deri më sot.

Kur këndohet për ‘dashninë e vjetër’, të duket sikur çdo gjë e bukur që mund të ndodh sot, ka ndodhur dje.

Asgjë e re nën këtë diell.

Tash që po rri ulur derisa qindra vajza e gra të martuara matanë rrugës janë duke kërcyer për ‘dashninë e vjetër’, po e shoh sa paskam gabuar deri sot që kam kujtuar se e djeshmja e dashnisë ka qenë më e bukur se e sotmja e saj.

Pavetëdije dalldisemi e mallëngjehemi kur i këndohet ‘dashnisë së vjetër’, për asnjë arsye tjetër, përveç për arsyen e vetme pse ‘dashnia e vjetër’ na bën të ndjehemi të rinj.

Lumturia është ndjenjë rinore. Nuk mund të jesh edhe i lumtur edhe i vjetër.

Edhe dashuria ish dasht m’u plak’ e m’u shu’…se edhe dashuria një ditë bëhet e panevojshme, sidomos kur ja nis ‘m’u bo i mençur’ e kupton se dashuria e vërtetë ndodh vetëm në kokat tona.

Jetohet edhe pa dashuri. 
Dhe kjo mënyrë e jetës i ka do përparësi, sepse kur nuk dashuron, je i lirë, as nuk ndjen lakmi, as frikë nga braktisja, as s’ke dyshime e xhelozi!

Dashuria na lë në çastin kur bëhemi të ‘mençur’. 
Mençuria na bën dyshues dhe të pabesë, mençuria nuk na lë t’i duam njerëzit pa kushte dhe parezervë.

Prandaj ‘dashnia e vjetër’ është ajo…më e mira, sepse kujtojmë se atëherë kemi dashur me shpirt e jo me mend!

Kur kemi qenë ‘të rinj dhe naiv’ kemi kujtuar se ka dashni ‘të vjetër’, e tash që kemi filluar të bëhemi ‘të mençur dhe të vjetër’ e kemi parë se ne vjetrohemi por dashuria ‘e vjetër’ mbetet gjithmonë ‘naive dhe e re’!

Bile-bile tash, pasi që e pashë një dokumentar me titull ‘Jeta para lindjes’, po thellohem edhe më shumë në kujtime dhe po mendoj se nëse njeriu për së gjalli e harron fëmijërinë e tij, patjetër që do ta harroj edhe ‘dashurinë e vjetër’.

Dashuria e vjetër-harrohet.
Harrohen të gjitha ‘llojet’ e dashurisë.
Bile bile, një ditë harron ta duash edhe vetveten.

Nganjëherë, si sot, po, është e vërtetë, të merr malli për ‘dashninë e vjetër’, dhe ky mall asgjë nuk ia zë rrugën ‘dashnisë tjetër’!

P.S. ‘Dashni e vjetër’ ish dasht me qenë ‘këngë e ndaluar’ ;