Pasi përfundoi sezonin e parë të “Dua të të bëj të lumtur”, Arbana Osmani është gati për t’iu rikthyer formatit që i është besuar për shumë vite. Big Brother në Top Channel do të rikthehet në mars, por ҫfarë do të ketë të re? Arbana zbulon më shumë detaje për formatin në një rrëfim për “Pasdite”, mbrëmjen e 31 dhjetorit:

“Ndryshe nga të gjitha vitet e tjera, këtë vit, së bashku me Alessia-n, e cila do të vazhdojë të jetë autore e Big Brother, është menduar që të jetë një program që do të përcjellë vlera. Pasi kam bërë një program si “Dua të të bëj të lumtur”, e gjej të vështirë të bëj një program që të jetë thjeshtë argëtues. Dua që Big Brother këtë vit të jetë një program ku njerëzit që do të marrin pjesë të paraqiten me dinjitet, njerëz që transmetojnë vlera të mëdha njerëzore. Unë besoj që ne të gjithë si popull kemi shumë për të treguar, qoftë edhe tek të rinjtë që marrin pjesë në një Big Brother….”

Ndryshe nga të gjithë vitet e tjera, rrëfen Arbana, këtë vit Big Brother do të fokusohet tek dashuria, ndaj edhe janë më të hapura pjesëmarrjet në ҫift: të dashur, të fejuar, të martuar. Por nuk është kjo e vetmja risi. Moderatorja enjohur e Top Channel tregon se këtë vit:

“I gjithë mekanizmi do të jetë ndryshe, pra do të jetë si një ҫorape e kthyer mbrapsht. Nëse më përpara kërshëria ka qenë “a do ketë lidhje brenda në Big Brother” dhe “a do kryhen marrëdhënie seksuale në Big Brother”, këtë vit, me sa di unë, nuk do të lejohen njerëzit që të kryejnë seks në Big Brother, është rregull i padiskutueshëm. Nëse thyhet, ata do të përjashtohen….”

Gjatë kësaj periudhe kur ka qenë e impenjuar me “Dua të të bëj të lumtur”, Arbana nuk ka qenë tërësisht e fokusuar te Big Brother, megjithatë mes mijërave aplikimeve që kanë ardhur në adresë të programit, ajo beson se do të ketë shumë personazhe që kanë me vete shumë histori për të rrëfyer dhe vlera për t’i transmetuar në publik. E pyetur si po e pret këtë rikthim, Arbana thotë:

“Nuk kam pasur kohë ta mendoj. Duke qenë shumë intensiv i gjithë aktiviteti në “Dua të të bëj të lumtur”, të gjitha lëvizjet, nuk kam pasur kohë të mendoj për Big Brother. Ne kemi xhiruar një ditë shpejt e shpejt reklamën dhe pastaj nuk kam pasur kohë të mendoj. Vazhdoj dëgjoj akoma entuziazmin e Alessia-s, por kam qenë e fokusuar tek “Dua të të bëj të lumtur”. Tani që mbaroi, e pres me shumë kënaqësi, siҫ e kam pritur ҫdo vit. Unë nuk jam shkëputur asnjëherë nga Big Brother, megjithëse nuk është se nuk më ka shkuar ndër mend, por është gjithsesi një vlerësim i madh të të besojnë një format të rëndësishëm si Big Brother dhe unë jam veҫse e kënaqur që do ta prezantoj sërish….”

Këtë herë Big Brother nuk do të fokusohet vetëm te zbavitja e publikut. Ai do të jetë një format gjithëpërfshirës, një program që do të përcjellë vlera, por edhe situata zbavitëse, komike etj.