“Aleanca për Shqiptarët” u takua në Shkup me kreun e partisë më të madhe opozitare maqedonase, Zoran Zaev, me të cilin u bisedua në lidhje më çështjen e pjesëmarrjes në zgjedhje.
Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Memedi tha se, që zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike, së pari duhet të fuqizohen institucionet shtetërore. Sipas tij, pa plotësimin e kërkesave të opozitës, nuk do të ketë zgjedhje më 24 prill.

“Është shumë e rëndësishme që së pari të fuqizohen mjaftueshëm institucionet e shtetit dhe vetëm pas fuqizimit të mjaftueshëm të institucioneve të shtetit, do të mund të flasim për zgjedhje fer dhe korrekte. Do të thotë se qëndrimi i jonë si opozitë ka qenë shumë i qartë, edhe sot e përcollëm të njëjtin qëndrim që e kemi mbajtur gati 3 muaj deri më tani. Pa zgjidhje të çështjeve kruciale të vendit, nuk do të ketë zgjedhje me 24 prill”, u shpreh Memedi, nga RDK.

Ndërsa sipas kreut të Lëvizjes për Reforma, Ziadin Sela është shumë normale krijimi i një blloku të kundërt me atë qeveritar, duke përfshirë edhe PDSH. Ai thotë se me bashkëpunimin e 3 partive të tyre politike, ata po luftojnë padrejtësitë e 3 partive të tjera, të VMRO-DPMNE, BDI, si dhe PDSH.

“Në qoftë se nga njëra anë janë bërë bashke 3 subjekte politike dhe 3 liderë politik që t’i manipulojnë dhe t’i vjedhin votat e votuesve të qytetarëve të Maqedonisë, është shumë normale që nga ana tjetër të ketë reaksion dhe një bashkërendim të aktiviteteve në mënyrë që e njejta vjedhje e legjitimitetit të pengohet”, tha Ziadin Sela, nga LR-PDSH.

Ndërsa lideri i LSDM-së nënvizoi qëndrimi e njëjtë, duke thënë se pa plotësimin e kushteve të marrëveshjes së Përzhinës, nuk është e mundur që të shkohet në zgjedhje.
Liderët e 3 partive opozitare nuk dhanë përgjigje pozitive për ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor, mirëpo Zoran Zaev tha se të gjitha mundësitë mbeten të hapura, në interes të qytetarëve të Maqedonisë

https://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=35ujmSnCmtQ#t=6