Një 45-vjeçare në Itali është shtypur për vdekje nga një makinë, teksa po shkonte në shtëpi.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:30 të kësaj të hënë në Ponsacco (Pisa) të Italisë.

Siç raportojnë mediat lokale, shqiptarja që humbi jetën, nënë e tre fëmijëve, është identifikuar si Diana Brahimi, e cila punonte si estetiste.

Mësohet se Diana Brahimi, ishte duke ecur në trotuar në rrugën “Di Vittorio”, kur është shtypurnga një makinë që drejtohej nga një italian i moshuar.

Viktima ka mbetur e bllokuar poshtë automjetit dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve që me jastëk me ajër dhe me ndihmën e një vinçi arritën të ngrinin makinën në ajër, dhe të nxirrnin nga poshtë saj, kufomën e shqiptares.

Në vendngjarje, mbërritën edhe shërbimet e emergjencës për ti dhënë ndihmë mjekësore Brahimit, por ajo ndërroi jetë.

Makina që shtypi shqiptaren ngitej një italian rreth të 90-tave, që pas aksidentit u shtrua në spital në gjendje shoku.

Sipas policisë së Ponsaccos, italiani ka humbur kontrollin e makinës dhe përfundoi mbi trotuar duke shtypur shqiptaren. /albeu.com/