Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar sot se filmi nga Kosova “Luaneshat e Kodrës”, do të jetë filmi i parë i gjatë që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë.

Aktorët tetovar, Elmir Sejfullai dhe Burhan Amiti të Teatrit të Tetovës, janë pjesë të filmit Luaneshat e Kodrës me regii Luana Bajrami, që do merr pjesë në festivalin e Cannes.

Filmi i nominuar për garë me filma tjerë shpalos tregimin diku në një fshat të vogël në Kosovë, ku tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’ do të jetë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.

Aktori Elmir Sejfullai ekskluzivisht për portalin tonë foli për pjesëmarrjen në këtë film. “Ndonjëherë rastësia është më e leverdisshme se sa planifikimi. Me Luàna Bajrami dhe Valbona Rrahmani u takuam në një shfaqe dhe pas saj dolëm për kafe ku na sugjeruan bashkë me kolegun tim Burhan Amiti të shkojm në audicion për filmin Luaneshat e Kodrës. Për fat edhe unë edhe Burhani, fituam role. Shkova në shesh xhirim në Ferizaj dhe përfundova xhirimet për një ditë. Një rol i vogël i profesorit. Shkuan besoj 2 vite dhe prisja premierën e filmit. As në ëndërr nuk e mendoja që ky film premierën e tij do e ketë në Festivalin prestigjioz të Cannes. Dëshirojë të falenderoj Luana-n dhe Valbonën për këtë mundësi, ndërkaq aktoret dhe aktorët e rinjë Flaka Latifi , Uratë Shabani , Era Balaj , Andi Bajgora dhe të gjithë ekipin për këtë arritje madështore.- tha Elmir Sejfullai.

Ndërkaq, aktori Burhan Amiti në statusin të shpërndarë në facebook në lidhje me pjesëmarrjen në këtë film u shpreh “Kënaqësi e veçante në jetë, të jesh pjesë e një projekti filmik që rrugetimin e parë e nis me festivalin ma të madh të filmit në botë, atë të Cannes.  Është e vetmja gjë në jetë që të përmbush shpitnisht dhe profesionalisht, pa menduar në asnje moment anën materiale por vetëm permbushjen profesionale. Urime e suksese pafund ne karriere, regjisore Lúana Bajrami.

Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit Director’s Fortnight të Festivalit të Kanës.