Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për aleanca të reja, por për fuqizim dhe riformulim të atyre aktuale.

Kurti ka theksuar se Kosovës i duhet bashkimi i Mitrovicës, duke e forcuar kështu shtetësinë e vendit.

“Aleatët tanë pa diskutim janë SHBA-të, Gjermania edhe Turqia, por asesi Rusia. Vetëvendosja po thotë se bashkimin me Shqipërinë e bëjmë me paqe e në mënyrë demokratike, kurrë nuk e bëjmë nëse bëhet një luftë ballkanike”.

“Ajo çfarë po na duhet neve është bashkimi i Mitrovicës, ai që na duhet forcimi i shtetësisë tonë, këto Amerika nuk mund të na i bëjë, ata po na lidhin marrëdhënie diplomatike me Ioëa-n, s’mund të na kryejnë punët këtu”.

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se e pranon flamurin e Kosovës si simbol të shtetësisë, por nuk e ka përzemër, pasi është i imponuar.

“Flamurin e Kosovës unë e pranoj, e pranoj në institucione në Kuvend. S’mund të na imponohet ta valëvitim në protesta e as ta ndalojmë flamurin kombëtar. Edhe në protesta nuk ja ndalojmë dikujt që e merr flamurin e Kosovës”.

“Unë e shoh këtë flamur jo demokratik, jo historik dhe të imponuar, s’mund të më imponohet ta mbaj. Ne nuk e kemi për zemër flamurin e Kosovës, por e duam shumë Republikën dhe substancën e saj”, tha ai.