Aleanca për Shqiptarët ka reaguar sot në lidhje me takimin e dy liderëve të partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski. Përmes konferencës për shtyp, zëdhënësi Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti ka pyetur publikisht se kush do ta përfaqësojë interesin shqiptar në atë takim.

Sipas Bexhetit, në takimin e paralajmëruar mund të hapen edhe tema tjera me interes shtetëror, ndërsa shqiptarët që janë të përjashtuar nga ky takim, do të jenë të përjashtuar edhe nga proceset politike që eventualisht do të dalin prej atij takimi.

“Kush ua jep të drejtën Kryministrit Zaev por edhe Liderit të VMRO-së Hristijan Mickovskit t’i përjashtojë ose mos ti ftojë përfaqësuesit politik shqiptar nga takimin e Liderëve? As Kryeministri Zaev e as Lideri i VMRO-DPMNE Mickovski, nuk e kanë ekskluzivitetin po as legjitimitetin të vendosin vetë mbi fatin e Prokurorise Publike Speciale, pa faktorin politik shqiptar, për një ligj që dikur u soll me konsensus të gjërë politik, por edhe ndëretnik, me iniciativën e faktorit ndërkombëtar. Kush do të flasë në emër të votuesve shqiptar për Ligjin e Prokurorisë publike, Kryministri Zaev apo z. Mickovski? Kush do të flasë në emër te qytetarëve shqiptarë eventualisht nëse hapet tema zgjedhjeve te parakohshme parlamentare” – pyet Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga Aleanca për Shqiptarët akuzojnë se përjashtimi i shqiptarëve nga bisedimet ndodh për shkak të partisë shqiptare në pushtet, sepse sipas tyre BDI-ja e Ahmetit veçmë e nënshtruar, ka pranuar se nuk e ka legjitimitetin e shqiptarëve, prandaj edhe siç thotë Bexheti, nuk kanë shprehur asnjë pakënaqësi rreth bisedimeve pa shqiptarët.

Sipas Bexhetit, qëndrimet e BDI-së për Prokurorinë janë në një vijë me qëndrimet e VMRO-së dhe Mickoskit dhe kjo sipas tij dëshmon lojën e dyfishtë që po bën BDI. Bexheti i ASH-së i ka dërguar porosi edhe Kryeministrit Zoran Zaev.

“Zoti, Zaev Ju edhe mund të flisni bashkë me Mickovskin për BDI-në, dhe ndoshta ta sillni ujdinë për ti amnistuar zyrtar të Qeverisjes së kaluar VMRO -BDI të pëfshirë në lëndët e hapura të Prokurorisë publike Speciale, por nuk mund të flisni për drejtësinë, reformat integrimin në BE, kodin zgjedhor, zgjedhjet e parakohshme sepse, që në pamje të parë ky takim duket monoetnik, larg realitetit multietnik, dhe traditës politike që shpeshherë e ka nxitur faktori ndërkombëtar” – porosit Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga kjo parti propozojnë tryezë të përbashkët të faktorëve relevant politik në vend, për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë dhe për tu përgatitur për zgjedhje të parakohshme, ndërsa ripërsërisin qëndrimin e tyre, për caktimin e një eksperti nga BE ose SHBA për ta udhëhequr procesin e reformave në drejtësi.

© fol.mk