Dy organizatat më të vjetra dhe ende aktive arsimore në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, si LASH-i “Naim Frashëri” në Shkup ashtu edhe LASH-i “Naim Frashëri” në Kumanovë – nuk janë aspak optimiste për ndryshimet e paralajmëruara në arsimin fillor, shkruan gazeta KOHA. Sipas kryetarëve të këtyre dy organizatave, Nuhi Dardhishta dhe Etem Xheladini, është krejt diçka tjetër të synosh reforma dhe krejt tjetër të gjesh rrugën e duhur. Dhe, ajo që është më e rëndësishme, reforma apo model i ri i shkollimit duhet të përshtatet me kushtet reale të sistemit arsimor, vërejnë ato. “Koncepti që të zvogëlohet numri i lëndëve mësimore dhe që një orë mësimi të zgjatet në 55 minuta, me atë që 40 minuta të jetë kohë mësimore dhe 15 minuta të shfrytëzohen për pushim apo lojë nga ana e nxënësve, nuk është koncept i keq. Mirëpo në praktikë është një model, i cili nuk mund të zbatohet gjerësisht në shkollat tona”, pohon Dardhishta, kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, në Shkup. Sipas tij, më të privuar nga këto ndryshime do të jenë shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, për shkak se janë pikërisht këto shkolla të cilat vuajnë më së shumti mungesën e hapësirave.

Reforma, të cilën e paralajmëron MASH-i për nxënësit e klasave të para, thotë se mund të gjejë zbatim nëpër shkolla të vogla, për shembull të qyteteve si Dibra apo Kërçova, të cilat kanë numër të vogël nxënësish në klasë. Por, jo edhe në qytete si Shkupi, Tetova apo Kumanova, ku numri i nxënësve është i madh. Aq më pak mund ta gjejë veten kjo reformë në shkollat e Çairit, shprehet Dardhishta, duke nënvizuar faktin se në të gjitha shkollat fillore të kësaj komune është mbi mesataren numri i nxënëseve në klasë në paralelet me mësimin në gjuhën shqipe.

“Në Perëndim, kushtet e shkollave janë krejt ndryshe, me klasa të gjëra dhe pak nxënës në to. Që mësuesi të organizojë lojëra me nxënësit në klasë, përveç hapësirës konvencionale ku zhvillohet mësimi – klasa duhet të ketë të paktën edhe 20 metra katrorë hapësirë që u duhet plotësuese. Ndërsa shkollat tona e dimë të gjithë se si janë, nuk kanë hapësira të mjaftueshme as për 40 minutat e rëndomta të mësimit”, shprehet ai. Këtë mëndim ndan edhe Etem Xheladini, kryetari i LASH “Naim Frashërit” në Kumanovë. Shkollat tona nuk kanë as minimumin e kushteve që orët të zgjaten me nga 55 minuta dhe brenda kësaj kohe të organizohen lojëra apo mënyra tjera zbavitëse me karakter edukativo-arsimor, vëren ai. “Prandaj mendoj se reforma të cilën e paralajmëron MASH është shumë larg realitetit, janë larg mundësive për tu zbatuar, sidomos në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe”, shprehet për gazetën KOHA, Xheladini. Një çështje tjetër e pa menduar mirë sa i takon ndryshimit të mundshëm në orës së mësimit në klasë të parë është edhe mos caktimi i kohës se kur do të organizohet pushimi, respektivisht loja e nxënësve. “Nëse në njërën klasë pushimi do të jetë në mes të orës 55 minutëshe të mësimit, në tjetrën pas 30 minutave mësim dhe në një klasën tjetër pushimi do të jepet pas 40 minutave, do të jenë vetë klasat që do ta pengojnë njëra-tjetrën. Në shkollë s’do të merret vesh se kush është në mësim dhe kush në pushim. Dalja e nxënësve në pushim shoqërohet me zhurmë dhe kjo do të shkaktojë një kaos brenda shkollës”, shpjegon Dardhishta. Ndërkaq Xhaladini vë theksin edhe të çështja e orëve të mësimit. Sipas tij, vetëm emrat e lëndëve do të ndryshojnë, pasi me shkrirjen e dy-tre lëndëve në një, brenda lëndës së re do të gjenden po ata njësi mësimore që ishin në lëndët e vjetra. “Pra, po punohet vetëm për t’i treguar opinionit se ja po mbajmë premtimet tona politike për reforma në arsim. Kështu është shkatërruar arsimi dhe është në gjenden të cilën e kemi sot”, shprehet ai

Dardhishta dhe Xheladini, dy kryetarët e LASH “Naim Frashërit” në Shkup dhe Kumanovë, konsiderojnë se gjeneza e të gjitha problemeve qëndron në mos konsultimin e MASH-it me profesionistë dhe ekspertë të fushës. “MASH-i ka nis të bëjë reforma, duke mos dëgjuar zërin e ekspertëve. Ka formuar grupe me anëtarë të Plenumit të profesorëve ndërsa nuk ka ftuar LASH-in që vepron prej gati tre dekada”, shprehet Dardhishta. Sipas tij, edhe ashtu siç janë formuar grupet e punës janë bërë “sa për sy e faqe”, ashti sikurse edhe takimet me shoqërinë civile. Askund të botë, reformat nuk ideohen dhe nuk dizajnohen me një-dy apo tre takim para se ndryshimet të paralajmërohen nga ministria. Për to angazhohen ekspertë dhe specialist të fushës. “Për shkak të qasjeve të tilla, të gjitha reformat që janë bërë në arsim kanë dështuar dhe e kanë sjell arsimin në gjendje të mjerueshme”, shprehet Xheladini nga LASH-i i Kumanovës. Edhe në rastin konkret, sipas tij dëshmohet se njerëzit që ndërmarrin iniciativa për reforma si këta që paralajmërohen në arsimin fillor, nuk janë të reformuar sa duhet për veten tyre.