Shkruan Arben Selami

Miliona e miliona herë është dëshmuar që rrena i ka këmbët e shkurtra. Mirëpo dikush assesi të bindet dhe vazhdon edhe më tutje të besojë se rrenës mund t’i zgjaten këmbët. Atëherë edhe më keq për të. Del në rrenë jo vetëm para opinionit, por edhe para vetvetes. Në kësi situate, mendoj se u ndodh edhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi, por edhe disa anëtarë naivë të kësaj partie. Deri sa këta naivë të ngratë kanë shpejtuar të lavdërohen se Ali Ahmeti e pensionoi Zoran Zaevin, Artan Grubi doli me deklaratë se pikërisht Ali Ahmeti nuk e ka lënë Zaevin të japë dorëheqje. Parashtrohet pyetja kush po gënjen në këtë rast? Përgjigja për mendimin tim është e shkurtër dhe e thjeshtë: po gënjen edhe Grubi edhe anëtarët naivë të BDI-së! Sa kam përcjellur mediumet shqiptare në Maqedoni, e vërteta është se Ali Ahmeti është deputeti shqiptar që ka votuar më së shumti kryeministra maqedonas, kurse vetëm një herë ka votuar kundër (votoi kundër Gruevskit, të cilin më pas e votoi dy tri herë). Ai shumë herë ka votuar për zgjedhjen e kryeministrave maqedonas, asnjëherë për pensionimin e tyre. Mos gënjeni, sepse jeni bë qesharak para opinionit. Sipas logjikës tuaj del që më së shumti kryeministra ka pensionuar Amdi Bajrami, e jo Ali Ahmeti, sepse sa është Amdi Bajrami në politikë janë ndërruar më së shumti kryeministra . Nëse udhëhiqeni me logjikën e Amdi Bajramit “sekogash so vllastar” atëherë kërkoj falje, ka të drejtë edhe Artan Grubi edhe anëtarët naivë të BDI-së. Ndryshe jo!

P.s. Mos i përshkruani këso fuqi mbipolitike Ali Ahmetit të stilit “e pensionoi këtë kryeministër, s’e pensionoi atë kryeministër”, ose “ e prishi Jugosllavinë, e ndreqi Jugosllavinë”, sepse i bëni më shumë dëm se sa dobi. Po të jetë e vërtetë se ka qenë dhe është aq i fuqishëm, atëherë rezulton se paska pasur fuqi të shpëtojë edhe Harun Aliun me shokë, ose Begun e Mirsadin me shokë, por nuk ka dashur ta bëjë një gjë të tillë dhe për këtë duhet të japë përgjegjësi. Keni kujdes, mos u bëni naiv, ose siç themi këtu në Kosovë, mos dilni si mëzi para pelës.