Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar sot Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan për përfshirje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Në një komunikim me gazetarët, Berisha u shpreh se mbyllja e kopshtit dhe kolegjit turk “Mehmet Akif” në Shqipëri është bërë me urdhër të Erdoganit dhe shtoi se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është “vasal” i Presidentit turk.

Berisha tha gjithashtu se Erdogani po punon në favor të Ramës dhe shtoi gjithashtu se ai ka ndërhyrë edhe për shkarkimin e ish-ministri të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati si dhe për zgjedhjen e Kryemyftiut të Shqipërisë.

“Dua ti them haptas Presidentit të Turqisë se puna që bënë për pushtetin e Edi Ramës është absolutisht në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe se aktet prej vasali që kryen Edi Rama nuk funksionojnë aspak për një bashkëpunim afatgjatë midis dy vendeve”, ka thënë Berisha.

“Nuk mundet Presidenti i Turqisë të diktojë se cila shkollë duhet apo nuk duhet të funksionojë, se cili minister i jashtëm duhet dhe nuk duhet të jetë. Un nuk kam asnjë simpati për Ditmir Bushatin, por nuk mundet të ndërhyjë ai [Erdogan] që ta largojë”, shtoi Berisha.

“Nuk mundet Presidenti i Turqisë të ndërhyjë se kush duhet të jetë Kryemyftiu”, sqaron Berisha.

Berisha sqaroi se islami i praktikuar në Shqipëri është perëndimor dhe ka historinë e tij duke përmendur edhe përkthimin në shqip të Kuranit.

“U them shqiptarëve se islami shqiptar është islam perëndimor. Ka historinë e tij nga më të lavdishmet, duke filluar që nga qëndrimi ndaj alfabetit e deri tek vendimi për përkthimin e Kuranit”, ka thënë Berisha.

Ai nënkuptoi se shqiptarët nuk kanë vëllazëri me turqit duke shtuar se vëllazëria qëndron vetëm brenda kombit shqiptar.

“Vëllezër jemi vetëm me njeri-tjetrin. Vëllazëria është brenda kombit. Nuk kemi vëllazëri jashtë kombit”, ka thënë në fund Berisha.