Zëvendës presidenti Joe Biden, “gozhdoi “ Donald Trump, në një intervistë ekskluzive të martën, ku tha se kandidati republikan ”është i pandjeshëm ndaj popullit amerikan”.
“Ai nuk është person i keq, por injoranca e tij është e pafundme. Meqë ra fjala tek energjia, vë bast se ai nuk mund ta mbajë çantën e tij vetë 18 gropa, në një nga fushat e tij të golfit. Mund ta imagjinoni presidentin të zgjohet në orën 03:30 në mëngjes dhe të bëjë një postim sarkastik në Twitter”, tha Biden për CNN.
Biden po i referohej fjalimit të Trump natën e shkuar në Twitter, në orën 3 të mëngjesit, ku foli për mediat dhe dy orë më vonë, e hapi përsëri Twitter -in dhe filloi të shpifte për ish-miss Universe, Alicia Machadon, për një video seksi, për të cilën fushata duhet të gjejë akoma prova.
Në intervistën me CNN, Biden bëri tifo për Clinton dhe tha se po punonte shumë për ta vënë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Biden mbi taksat e Trump
Në raportin e gazetës “New York Times”, thuhej se Trump ka shmangur pagimin e taksave për 18 vite, pasi deklaroi një humbje prej 916 milion dollarësh në vitin 1995. Lidhur me këtë Biden tha:
“Qëkur dikush që jeton në majë të botës, në një apartament luksoz, është në një pozicion që nuk ndjen asnjë detyrim për të paguar të gjitha taksat federale që shkojnë për ushtrinë, edukimin dhe politikat e jashtme? Që kur kjo na qenka diçka patriotike për t’u bërë? Mund të imagjinoni ndonjë president tjetër, që thotë se është krenar për këtë? Nuk arrij ta kuptoj”.
Biden e quajti Trump injorant, për sakrificën ndaj burrave dhe grave.
Ai e ftoi Trump në “fushëbetejën” në Afganistan dhe Irak, që të mund të përjetonte atë çfarë kishin përjetuar ata fëmijë dhe sakrificat që po bënin.
“Më kërkuan t’i jepja një yll të argjendtë një djaloshi i cili u hodh nën rrënoja për të shpëtuar mikun e tij pas shpërthimit të një bombe, por shoku i tij vdiq. Kur shkova t’ia dorëzoja yllin, e dini se ç’më tha? “S’e dua. S’e dua. Ai nuk jetoi zotëri”, ai djalosh bie çdo natë në gjumë duke parë makthe”, tha Biden./tvklan.al