Burri tregon si e humbi familjen: Hapa derën dhe gruan e zunë rrënojat, kishte përqafuar djalin

Tërmeti tragjik që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit u mori jetën 51 personave dhe plagosi mbi 900 të tjerë, ka lënë të tronditur mijëra banorë dhe familjarë të traumatizuar. Mes 51 viktima të tërmetit janë edhe dy anëtarët e familjes Cuka, nënë e bir Fatmira dhe Sardi Cuka duke lënë pas Bujarin, kryefamiljarin dhe vajzën Egi Cuka.

Bashkëshorti Bujar ishte në banesë në momentin që ndodhi tërmeti, por fatmirësisht arriti të shpëtonte. Ai tregon në emisionin shqiptarët për shqiptarët sesi ndodhi tragjedia, teksa të shoqen e pa kur e zunë poshtë gërmadhat.

Vajza e tij Egi ishte tek gjyshërit në Tiranë dhe mundi t’i shpëtonte termetit vrastar. Dhimbja është e papërshkrueshme për ta. Bujari mes lotësh tregon momentet e fundit me gruan dhe djalin dhe si arriti të dilte i gjallë, pasi pallati u shemb mbi ta kur ai hapi derën për të dalë jashtë.

“Unë jam Bujar Cuka , ra tërmeti i parë gruaja qëndroi me djalin. Ne ishim zgjuar më pas, kam hapur televizorin, pamë tërmetin e parë që ka rënë, e fika televizorin ika nga dhoma, u ula në krevat mora telefonin mbështetur, atje ra tërmeti i fuqishëm. Hapa derën, ra paneli zuri gruan, djalin nuk e pashë, u shemb korridori, bërtisja emrat e fëmijëve. Dera nuk u hap, ishte errësirë, kishte pirg tullash u hodha nga kati i dytë. Unë nuk i kam parë as viktimat, nuk dua t’i kujtoj ashtu, dua t’i kujtoj të lumtur. Djalin tim e gjetën të përqafuar me gruan. Nuk kam forcë të flas, jam i shkatërruar. Nuk ka ardhur njeri të na pyesi” thotë i tronditur Bujari i cili ka humbur djalin dhe gruan nën rrënoja.