Para përfaqësuesve të Asociacionit Energjetik të Maqedonisë, kompanitë energjetike, odat dhe ekipi i konsultuesve të BERZH-it ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot hapi debatin publik mbi projektligjin për efikasitet energjetik me flamurin evropian, ku do të inkorporohen Direktivat për efikasitet energjetik , Direktivat mbi karakteristikat energjetike të ndërtesave dhe Rregulloren për krijimin e një kornize e cila do të tregojë për energjinë e harxhuar, duke rrumbullakuar procesin e transpozimit të Direktivave për efikasitetit energjetik që janë në kuadër të Marrëveshjes themeluese të komunitetit energjetik.

“Ky projektligj, i cili u botua në ENER që në dhjetor të viti 2018 dhe që janë marrë mendime nga disa palë, ofron disa zgjidhje për të reduktuar konsumin e energjisë, e cila do të kontribuojë gjithashtu edhe për mbrojtjen e mjedisit edhe atë tek ndërtesat, sektorët publikë, komercialë dhe privat, sektori industrial, si dhe transmetimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike. Për institucionet publike vendimi ligjor do të vendosë një detyrim për të rindërtuar të paktën 1% të sipërfaqes totale të ndërtesave në vit, që shfrytëzohen dhe janë në pronësi të qeverisjes qëndrore, në mënyrë që të reduktohet konsumi i energjisë dhe për të arritur kursime në sektorin publik ndërsa komunat do të jenë në gjendje të zhvillojnë projekte për efikasitet energjetik “, tha Bekteshi, duke shtuar se për qytetarët ligji do të hapë tregun e certifikatave për karakteristikat energjetike të ndërtesave, si dhe mundësi për të njohur produktet në treg sipas etiketës së tyre në të cilën tregohet konsumi i energjisë.

Në të njëjtën kohë, ky ligj do të nxisë krijimin e kompanive ESCO edhe tek ne në Maqedoni, të cilat duhet të financojnë projekte për efikasitet energjetik, ndërsa operatorët e sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes të energjisë elektrike, gazin natyror dhe energjinë e ngrohjes do të jenë në gjendje vet të zhvillojnë projekte për efikasitet energjetik.

Në periudhën e ardhshme, Ministria duhet të miratojë disa akte nënligjore për zbatimin e suksesshëm të ligjit, si dhe t’i propozojë Qeverisë: Strategjinë për rindërtimin e ndërtesave deri në vitin 2030 dhe Planet e Veprimit për efikasitet energjetik ,të cilat duhet të jenë tre vjet.