Tarifa e lire e rrymës elektrike do të kthehet edhe gjatë ditës, njoftoi kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski. Ai tha se tarifë të lire do të ketë dy orë në periudhën nga ora 11 deri në ora 16, mirëpo cilën periudhë do të caktohen këto dy orë, priten konsultime të mëtejme.

“Po i bëjmë analizat e fundit, i shohim cilat janë ndodhitë në berzë. Është e qartë se do të jenë në periudhën prej ora 11 deri në ora 16, por saktë cilat dy orë do të jenë, do të na tregojnë analizat e fundit që i bëjmë, me qëllim që të vlejë në periudhë kur kemi realisht çmime më të ulëta në tregun e energjisë elektrike edhe në Maqedoni por edhe në rajon”, tha Marko Bislimovski – Kryetar I KRRE.

Ndërkohë nga 1 korriku do të rritet TVSH-ja për energjinë elektrike në 18% aq sa ka qenë edhe më herët. Mirëpo sipas ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, kjo nuk do të luajë rol në shumën e faturave për qytetarët sepse modeli i përcaktimit të çmimit do të ndryshojë.

“Ne kemi mekanizma tjera me të cilat mundemi t’u dalim në ndihmë qytetarëve dhe nëse flasim vetëm për ato 8% unë prej sot ju garantoj se ato 8% do të ulen nëse ka nevojë në parametra tjera në vërtetimin e çmimit. Por kjo nuk do të thotë se vetëm 8% do të ulet. Ka mundësi më tepër se 8%. Dhe ja sot publikisht ju them që qytetarët nuk do të paguajnë fatura më të larta për energji elektrike nga ajo e mëparshmja por do të jetë e kundërta, do të paguajnë më pak nga ajo që e kemi momentalisht”, pohoi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Përndryshe TVSH-ja në korrik të vitit 2021 u ul në vetëm 5% për shkak krizës që kaploi fushën energjetike. Më pas në janar të vitit të kaluar TVSH-ja u rrit në 10%, e nga korriku që vjen do të kthehet në 18%.