Dua Lipa është një nga emrat që konsiderohen yjet botërorë të së ardhmes. Këngëtarja shqiptare, së bashku me dy artistë të tjerë në Britani,  Anne-Marie dhe Rag’n’Bone Man, janë në listën e ngushtë të të nominuarve në “BRIT’s 2017 Critic’s Choice”, çmim që i hapi rrugë karrierave të suksesshme të Adele dhe Sam Smith. “Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti për mua. Nuk mund ta besoja kur e mora lajmin, jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse për këtë nominim”, ka thënë këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa pas nominimit.

Dhe në fakt, “BRIT’s 2017 Critic’s Choice” është një çmim mjaft i rëndësishëm për artistët e rinj. Gjatë viteve të shkuara, këtë çmim e kanë fituar edhe Florence and The Machine, Ellie Goulding, Jessie J, Emeli Sandé, Tom Odell, James Bay, ndërsa vitin e shkuar Jack Garrat. Të gjithë këta artistë, sipas shtëpisë diskografik “BPI”, e cila është në krye të eventit “Brit Awards” kanë shitur rreth 60  milionë albume në Britani. Në artikullin e publikuar nga “Billboard” thuhet se fituesi i këtij viti do të shpallet më 8 dhjetor dhe do të performojë gjatë eventit “Brit Awards” që do të mbahet më 14 janar.