Mediumi i njohur britanik “TalkSport” ka përfshirë dy shqiptarë në 20 futbollistët më të mirë të Premier Ligës në pozitën e mesfushorit ofensiv apo organizativ.

Në 20 më të mirët që luajnë në pozitën që njihet në futboll si pozita me numrin 10 janë përfshirë Adnan Januzaj i Sunderlandit dhe Xherdan Shaqiri i Stoke Cityt.

Januzaj është i fundit në këtë listë.

“Januzaj shkëlqeu nën urdhrat e David Moyesit te Manchester Unitedi tre vjet më parë, andaj tifozët e Sunderlandit janë të lumtur me huazimin e tij. Por ka qenë një start zhgënjyes për reprezentuesin belg, që vështirë se do të tërheqë vëmendjen e Jose Mourinhos”, thuhet në përshkrimin e “TalkSport” për Januzajn, transmeton koha.net.

Ndërsa për Shaqirin, që është i 13-i në këtë listë “TalkSport” shkruan se “Ai shkëlqen në ditën e tij, por që nuk është vazhdimësi. Ndeshja e shkëlqyer ndaj Hull Cityt, ku ai realizoi dy golat në fitoren 2 me 0, tregoi se sa i mirë mund të jetë. Mark Hughes ka nevojë për më shumë nga reprezentuesi i Zvicrës”.

Listës i prinë Philippe Coutinho i Liverpoolit, i ndjekur nga Kevin De Bruyne i Cityt dhe Mesut Ozil i Arsenalit.