Ministria e Punëve të Brendshme është dikasteri i cili ka nevojë më së shumti nevojë për reforma rrënjësore. Ekspertët konsiderojnë se zhvillimet e 27 prillit kanë dëshmuar nevojën e reformimit të MPB-së duke filluar nga zyrtarët e thjeshtë policorë e deri tek eprorët dhe drejtorët e organeve brenda këtij dikasteri. Ish shefi i Kontrollit të brendshëm pranë MPB-së, Voisllav Zafirovski për Alsat-M, vlerëson se reformat në polici duhet të fillojnë nga ndryshimi i sistemit organizativ në MPB.

“Edhe ngjarjet e fundit vërtetuan se policia është totalisht e partizuar. Duhet të bëhet departizim i plotë i policisë, të riorganizohet i tërë sistemi udhëheqës i Byrosë së Sigurimit Publik dhe mbi gjitha ndryshimet dhe reformat në Drejtorinë e Sigurisë dhe Kundërzbulimit. Kemi shkollë të mesme për parukierë dhe nuk kemi shkollë të mesme të policisë. Partizimi i policisë filloi të bëhet në momentin kur është mbyllur shkolla për polici”, u shpreh Voisllav Zafirovski, ish shef Kontrollit të Brendshëm.

Profesori universitarë Qebir Avziu se reformat e Qeverisë së re do të vlerësohen në bazë të reformave që do t’i bëjnë në polici. Sipas tij në reforma do të luaj rol edhe ndihmës ministri dhe Kontrolli i brendshëm.

“Sigurisht që reformat janë shumë të nevojshme në MPB pasi që ky dikaster është i robëruar jo vetëm para 27 prillit por për 26 vite sa ekziston Maqedonia. Tani është mundësia që drejtori i DSK-së dhe BSP-së të zgjidhen në mënyrë transparente. Ky do të jetë testi i parë i Qeverisë për të vërtetuar nëse është vërtetë reformatore apo ka për qëllim zgjedhjen e personave politik”, tha Qebir Avziu, profesor universitar.

Policia e Maqedonisë ishte njëri ndër indikatorët për ndodhitë e 27 prillit në Kuvend. Pjesëtarët e policisë nuk ndërhynë profesionalisht, ndërsa shefi i shtabit operativ kishte shkëputur çdo komunikim me ministrin e Brendshëm. Të gjitha këto veprime ishin marrë si pasojë e ndikimit politik. Si pasojë e këtij ndikimi, Maqedonia u ballafaqua edhe me skandalin historik të përgjimeve.