Ekonomia shqiptare vuan mungesën e një modeli të rritjes së qëndrueshme ekonomike, e ky është padiskutim problemi numër një. Mungesa e rritjes së qëndrueshme ndërkohë është më së shumti rrjedhojë e një ekonomie që nuk prodhon. Këtë e vërteton me shifra edhe një raport i fundit i Forumit Ekonomik Botëror, raporton Scan. “Raporti për gatishmërinë e prodhimit në të ardhmen 2018”, e rendit vendin tonë të 91-tin në botë, ndër 100 ekonomi. Shqipëria rezulton të jetë vendi i fundit në Europë dhe i fundit në rajon për rrjedhojë. Raporti vlerëson pozicionimin e secilës prej këtyre 100 ekonomive, sipas shkallëve të zhvillimit sa i përket prodhimit si dhe aftësinë e këtyre vendeve për t`u transformuar në bazë të ndryshimit të natyrës së prodhimit nëpërmjet adoptimit të teknologjisë së re.

Vetë Forumi Ekonomik Botëror saktëson se, ky raport duhet të shërbejë si një benchmark, ose guidë për veprimet e mëtejshme. Forumi Ekonomik Botëror i dedikon një profil të detajuar ekonomisë shqiptare në drejtim të kësaj aftësie.

Rezultatet nuk janë aspak shpresëdhënëse. Shqipëria renditet në vendin e 91-të në botë në indeksin e strukturës së prodhimit. Ky i fundit ndahet në dy nën-indikatorë, shkalla dhe kompleksiteti.

Te ky i fundit jemi të 78-tët në botë, ndërsa te shkalla, të 98-tët. Edhe nën-indikatori që i referohet manifakturës e rendit Shqipërinë në vendin e 98-të në botë. Sa i përket aftësisë për t`u inovuar, ekonomia shqiptare është e 93-ta në botë.

Performancën më të mirë vendi ynë e regjistron në indikatorin e kapitalit njerëzor, çka nënvizon atë që të gjithë dinë, se ekonomia ka një potencial të pashfrytëzuar.

Nën-indikatorët e tjerë ndërkohë janë rreth 80 në total. Në prag të Forumit të Davos, Forumi Ekonomik Botëror publikon një sërë raportesh mjaft të rëndësishme, dhe ky është ai që hap siparin.