Në lidhje me aktualitetin e fundit të skenës politike në Maqedoni se kujt duhet t’i ndahet mandati pasi që VMRO-DPMNE nuk arriti të formojë Qeveri, kryetari i VMRO-Popullore ka komentuar në profilin e tij në “Facebook”, i cili thotë se mandati i takon LSDM-së, pastaj BDI-së, në të kundërtën zgjedhjet do ta humbin kuptimin, njofton Portalb.mk.

“Këto ditë po përmendet vetëm shembulli kur kryetari Kiro Gligoro dy herë me radhë ia ka ndarë mandatin LSDM-së. Nuk e di pse heshtin edhe për shembujt më drastik të shkeljes së Kushtetutës nga viti 1990 kur Kiro Gligorov fare nuk i ka dhënë mandat partisë fituese. Në fakt, ai ka kërkuar katër kandidatë për kryeministër, thuajse dy muaj e bllokoi Maqedoninë  dhe në fund ia dha kandidatit të tij personal, Nikolla Klusev. Kështu që mund të konstatoj se të gjitha mundësitë e shkeljes së Kushtetutës i ka promovuar LSDM. Hartuesit e Kushtetutës dhe mospërputhja e nenit 90 është vepër e ekspertëve të LSDM-së nga analfabetizmi ose është futur për lojëra në kohën kur ishin shumicë. Kështu është dhe këtu nuk kanë askujt për çfarë t’i hidhërohen. Por, pavarësisht nga faktet e theksuara më lartë ka diçka që quhet frymë e demokracisë evropiane, logjikë e pandaluar kushtetuese e cila funksionon në praktikën parlamentare. Sipas saj, mandatin duhet ta fitojë LSDM, ndërkaq nëse nuk arrin që të formojë Qeveri, atëherë i njëjti duhet t’i ndahet BDI-së. Në të kundërtën, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta humbin kuptimin, e para duhet ta ndryshojmë Kushtetutën dhe pastaj të shkojmë në zgjedhje të reja”, shkruan Georgievski. /Portalb