Askush nuk do kishte folur për këtë deputet nëse nuk do të bënte papritur një deklaratë që ka vënë në lëvizje qytetarët, mediat dhe vetë kolegët e tij.

Javën e kaluar, deputeti polak i krahut të djathë në Parlamentin Evropian, Janusz Korëin-Mikke, ka thënë që është e drejtë që gratë të paguhen më pak sesa burrat duke qenë që janë më pak inteligjente sesa ata.

“Gratë duhet të fitojnë më pak sesa burrat sepse janë më të dobëta, më trupvogla dhe më pak inteligjente sesa ata. Ato duhet të fitojnë më pak, kaq”, është kapur ai në kamera teksa u fliste anëtarëve të Parlamentit Evropian.

Ai ka qenë në linjë edhe në programin “Good morning Britain”, ku ka sqaruar idetë e tij. “E thashë atë vetëm sepse ato janë më të shkurtra, më të dobëta dhe më pak inteligjente, ato janë më pak agresive dhe fitojnë më pak”, ka thënë ligjvënësi polak. “Meqë ra fjala, ka vazhduar ai, një burrë i shkurtër fiton më pak sesa një burrë i gjatë. Biondia fiton më shumë sesa një brune. Ato janë të ndryshme dhe nuk duhen barazuar”. Më pas, ka dashur ta argumentojë edhe me “fakte shkencore” qëndrimin e tij, duke thënë që “është provuar që gratë janë më pak inteligjente nga pikët e ndryshme në shkallën e Koeficientit të Inteligjencës”.

Janusz Ryszard Korwin-Mikke është politikan dhe shkrimtar polak dhe themelues i partisë së djathë euroskeptike për Rinovimin e Republikës– Liri dhe Shpresë.

Sot, në ditën ndërkombëtare të gruas, është hapur një peticion online për largimin nga Parlamenti të këtij deputeti i cili, siç thuhet në motivacionin e peticionit, e përdor Parlamentin për të shpërndarë pikëpamjet e tij shoviniste, ai ka krahasuar emigrantët me “jashtëqitjet” dhe ka përshëndetur si nazistët! Më parë ai është dënuar me disa gjoba simbolike, por tani Parlamenti ka nisur investigimin.

Ndërsa qytetarët nismën për ta nxjerrë jashtë Parlamentit.