Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski së bashku me anëtarët e partisë së tij, Nikolla Poposki, Nikolla Todorov, Trajko Veljanovski, Vlladimir Gjorçev dhe Aleksandar Nikollovski, të cilët u takuan dje me ndihmës sekretarin amerikan për Evropë dhe Euro-Azi, Hojt Brajan Yee, kanë vendosur të mos heqin dorë nga zgjedhjet e reja, edhe pse tashmë është formuar shumica e re parlamentare.

Gjatë takimit mes tyre, ata folën edhe për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë, ku nga VMRO-ja kanë theksuar se vendi vazhdon të gjendet në krizë të thellë politike.

Nga VMRO-ja thonë se kreu i ri i Kuvendit u zgjodh në mënyrë ilegale, ndaj dhe ky hap, sipas tyre, mund të jetë e dëmshme për të ardhmen.

“Nga ana e VMRO-DPMNE-së është potencuar se mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të dalë nga kriza politike, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me zgjedhjet e rregullta lokale”, thuhet nga kjo parti. /albeu.com/