VMRO-DPMNE-ja ka mbajtur disa tubime në lëgje të ndryshme të Shkupit, ndërsa nga ‘Gjorçe Petrovi’, lideri i kësaj partie, Nikolla Gruevski, kërkoi dalje masovike të qytetarëve në zgjedhje më 11 dhjetor dhe ta dënojnë LSDM-në. Ai shtoi se populli tashmë e ka të qartë se pse LSDM-ja, sipas Gruevskit, e krijoi krizën politike e cila po zgjatë për më shumë se 2 vjet. Gruevski kryesisht gjatë fjalimit të tij ka akuzuar liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, për krizën politike, dhe se sipas Gruevskit, Zaev ka për qëllim kantonizimin e Maqedonisë, raporton SHENJA.

“Zoran Zaev mendonte se populli nuk ka kapacitet të vlerësojë se çfarë do të thotë dygjuhësia për Maqedoninë në tërë shtetin, ndryshimi i Kushtetutës, rrënimi i kornizave të Marrëveshjes së Ohrit. Ai shkonte në kartën, se njerëzit nuk janë aq të arsimuar politikisht, por populli është shumë më i mençur sesa ajo që ai mendon. Gjithë këtë malltretim dhe manipulim, ai do ta paguajë para popullit në zgjedhje”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.