Grupet e punës të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, akoma pa detaje për opinionin rreth përafrimit të qëndrimeve mes opozitës dhe pushtetit për ligjet reformuese. Jo zyrtarisht, socialdemokratët kanë ofruar një agjendë, por që e njëjta duhet të merr pëlqimin e partisë së Hristijan Mickoskit. Burime nga grupet e punës bëjnë të ditur se deri më tani janë mbajtur disa takime, por pa rezultat konkret. Anëtarë të VMRO-DPMNE-së në grupin negociues theksojnë shkurt se takimet akoma nuk janë në fazën kur për rrjedhat duhet të jetë i njoftuar edhe opinioni. Madje bisedimet po zhvillohen edhe larg syve të deputetëve të cilët nuk janë anëtarë në grupet negociuese.

Unë nuk jam pjesë e këtij grupi. Ju lutem drejtohuni tek zëdhënësit e dyja partive politike për t’u informuar rreth bisedimeve – tha Antoni Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Alsat M ditë më parë informoi se opozita maqedonase ka kërkuar që në mesin e ligjeve për të cilët bisedohet me qëllim arritjen e konsensusit nacional është edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, respektivisht kthimi i tij në procedurë fillestare. Por kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një takim me ambasadorin Holandez, Vouter Plomp, ka përsëritur qëndrimin se miratimi përfundimtar është çështje ditësh dhe se ligji do të miratohet i pa ndryshueshëm pavarësisht numrit të madh të amendamenteve. Në mesin e ligjeve për të cilët do të kërkohen konsensus nacional janë edhe: Ligji për dëshmitarët e mbrojtur, Ligji për ndjekje të komunikimeve, Ligji për Agjencinë Teknike-Operative, Ligjin për informatorët, Ligji për KSHZ-në dhe ndryshimet në Kodin Penal. Siç mësohet, opozita do të propozojë edhe ndryshimin e procedurës për zgjedhjen e Kryeprokurorit publik, respektivisht zgjedhjen e tij me 2/3 e votave dhe me Badenter, gjë që sipas opozitës do të impononte emërim me konsensus dhe kuadër të pavarur. Për miratimin e ligjeve ose ndryshimet në ligjet e lartpërmendura nevojiten 2/3 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.