Në vitin 1973 Dalip Brahimi nga Hasanbegu me duart e tij kishte ndërtuar shtëpinë cila në gusht nga vërshimet iu shkatërrua tërësisht. Ai thotë se shuma prej 1700 eurosh nga kompensimi i dëmeve nuk i mundëson të nis rikonstruimin e shtëpisë.

Për momentin, ai bashkë me 7 anëtarët tjerë të familjes janë shpërngulur në një shtëpi tjetër të cilën kanë arritur ta rregullojnë sa për ta kaluar këtë dimër. Madje, plaku thotë se janë bërë shumë padrejtësi gjatë vlerësimit dhe kompensimit të dëmeve.

“1700 euro ndërsa e gjithë shtëpia është shkatërruar, në atë shtëpi janë 10-15 mijë euro harxhime, të ardhura tash për tash nuk kemi. Me çka të bësh, ato bëhen me pasuri, pa pasuri nuk bëhen, me 5-6 mijë denarë a bëhet, a mundesh me rregulluar diçka. Kemi dhënë disa kërkesa në ministri, nuk ka asgjë prej atje, veç ato 1700 euro që na i kanë dhënë. Të djali kam shkuar, edhe ai e kishte të dëmtuar katin e parë po tash e ka rregulluar, tash me një dhomë jam tu qëndruar te djali”, deklaroi Dalip Brahimi, banor i Hasanbegut.

“Çka kemi marrë holla 1500 euro, aq në katin e parë çka kemi pas i kemi hedh, e këto tjerat mobiliet, frigoriferin edhe të tjerat janë hedh krejt. Ma vonë na e kanë dhënë vetëm një shporet elektrik”, tha Faik Mamuti, një tjetër banor i Hasanbegut.

Disa banorë ankohen edhe për mungesën e kompensimit të dëmeve në bujqësi. Ata thonë se bujqësia është burimi i të ardhurave për shumë familje në Hasanbeg.

“Me shënuar i kanë shënuar po nuk kanë dhënë asgjë, po të tregoj 20 folija i kam pas, 40 najlona dhe 200 shtylla hekuri, të gjitha janë për ti hedh. Traktori është blloku, kamioni është blloku, të gjitha mjetet e bujqësisë për punimin e tokës janë blloku”, shtoi një tjetër banor i Hasanbegut.

Ndërkohë shumë familje këto ditë dimri po i kalojnë në dhoma të ftohta dhe pa kushtet elementare për jetë. Ndërkohë rreth 100 banorë të tjerë të Hasanbegut vazhdojnë të qëndrojnë të strehuar në konviktin “Tome Stefanovski-Seniç” në Autokomandë.