Intervistë e ministrit të Kulturës Hysni Ismaili për stav.ba ku flet gjerë e gjatë për punën e bërë në kthimin e barazisë kulturore si dhe për bashkëpunimin rajonal kulturor

Ne jetojmë në një hapësirë ​​të karakterizuar me kulturë e pasur, letërsi të krijuar në disa gjuhë dhe art që ka frymëzuar shumë artistë të mëdhenj. Sidoqoftë, mund ta vërejmë se pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit po përballen me mungesë kronike të fondeve, pa të cilat të gjitha këto suksese janë të pamundura për t’u prezantuar në nivel global. A mund të shndërrohet një situatë e tillë në një mundësi për ta përmirësuar bashkëpunimin kulturor midis vendeve të këtij rajoni, me qëllim të paraqitjes së thesareve kulturore në nivel evropian dhe botëror?

Ismaili: Fatkeqësisht, këtë intervistë po e realizojmë në kushte të pandemisë dhe nuk mund të flasim me një optimizëm të madh, por duhet të theksoj se jam dakord që të gjithë kemi më shumë vlera shpirtërore dhe kulturore, për të cilat mund të jemi krenarë dhe për të cilat ne vetë nuk jemi të vetëdijshëm se jetojmë me to dhe pranë tyre dhe, aq më pak, që ta kemi njoftuar botën me to. Në fakt, sa herë që unë duhet të flas për vlera kulturore, më kujtohet filmi dokumentar i Adela Peevës “E kujt është kjo këngë”, në të cilin në mënyrën më plastike është shprehur diversiteti ynë kulturor dhe, në të njëjtën kohë, ngjashmëritë tona. Sipas shembullit të kësaj kënge, për ne është e pashmangshme të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, sepse të gjithë ne kemi vlera të njëmendta dhe të veçanta, për të cilat jam i sigurt se do të ngjallnin interes për publikun kulturor botëror. Nëse duam t’i përgjigjemi pyetjes së Adela Peevës, ne mund ta bëjmë atë vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë kulturor.

A mund të na flisni më shumë rreth politikave kulturore dhe strategjive për investime në kulturë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për shkallën në të cilën këto strategji përfshijnë bashkëpunimin me vendet e tjera të rajonit?

Unë mendoj se publiku tashmë e di që ne erdhëm në krye të Ministrisë së Kulturës pas pothuajse pesëmbëdhjetë vjetësh që kur kultura ishte etnizuar dhe ishte përvetësuar për qëllime nacionaliste, siç është projekti “Shkupi 2014”. Ne kishim për detyrë të merrnim masa për përmirësimin e jetës kulturore. Prandaj, përmes programit vjetor nacional në vitin 2019 dhe 2020, por edhe me programe të tjera kulturore, të mbështetura nga Ministria e Kulturës, ne jemi munduar ta çlirojmë kulturën nga kthetrat e nacionalizmit dhe njëmendësisë. Dhe, sipas meje, ne ia kemi dalë në këtë. Institucionet kulturore nacionale dhe shoqatat e tjera kulturore janë veçanërisht mirënjohëse për ndarjen tonë të fondeve dhe unë mund të jem i kënaqur që kemi hapur një faqe të re për kulturën në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila – duhet të theksoj – është një shoqëri multikulturore, multietnike dhe multikonfesionale. Për më tepër, angazhimi ynë ishte që kultura të mos përqendrohet vetëm në qendrat kryesore urbane, por të përhapet në të gjitha pjesët e vendit, me qëllim që jeta kulturore të jetë sa më e afërt për çdo qytetar.

Ismaili: A ka mundësi aplikimi për projekte të përbashkëta të vendeve të Ballkanit në fonde të Bashkimit Evropian për kulturë, por edhe drejt Turqisë, kjo duke pasur parasysh se këto vende, në një masë më të madhe ose më të vogël, janë trashëgimtare të një kulture të përbashkët osmane?
3. Përderisa unë jam në krye të Ministrisë së Kulturës, kemi dëshmuar se nuk kemi asnjë paragjykim për këtë lloj bashkëpunimi. Siç e dimë tashmë, fondet evropiane për kulturë janë më lehtë të arritshme nëse për projekte të përbashkëta në to aplikojnë aplikues nga disa vende. Ne jemi të gatshëm dhe kërkojmë partnerë të tillë për bashkëpunim. Fatkeqësisht, situata me pandeminë ka krijuar kufizime, por ne tashmë kemi hyrë në kontakt me fonde të tilla dhe shpresoj se kemi hapur një mundësi të re për të gjitha institucionet dhe shoqatat tona kulturore për aplikimin në fonde të tilla.
Këtu, para së gjithash, e kam fjalën për programin “Evropa Kreative – Industria Kreative”, e cila nënkupton aplikimin në projekte që BE-ja i mbështet me 80%, ndërsa Ministria me pjesën tjetër.
Sa i përket Republikës së Turqisë, mund të them që unë kam qenë në vizitë në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Turqisë, ku me Ministrin Mehmet Nuri Ersoj biseduam për bashkëpunimin në fushën e kulturës. Ne presim që një bashkëpunim i tillë të institucionalizohet më shumë, ndërsa deri atëherë ne vazhdojmë t’i mbështesim projekte që propozohen nga institucionet, shoqatat ose artistët tanë vendas për pjesëmarrje në aktivitete kulturore në Republikën e Turqisë. Dhe, deri më tani kjo është zhvilluar në mënyrën më të mirë. Këtu e kam fjalën për pjesëmarrje në panairet e librit në Turqi, në ekspozita dhe shfaqje të Maqedonisë së Veriut, të cilat prezantohen në Turqi.
Kur flasim për trashëgiminë e pasur osmane, mund të themi se kjo është një detyrë që vazhdon t’i presë shkencëtarët tanë, që ta studiojnë dhe prezantojnë atë para publikut. Prandaj roli i Turqisë në projekte të tilla është vendimtar.

Ju gëzoni respekt në mesin e komunitetit boshnjak në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Keni ndihmuar shumë projekte në lidhje me ruajtjen e kulturës boshnjake dhe e flisni rrjedhshëm boshnjakishten. Fundja, ju jeni një student i Tuzllës. Si i vlerësoni aktivitetet kulturore të komunitetit boshnjak në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në cilat fusha është e mundur të përmirësohen këto aktivitete me mbështetjen e ministrisë suaj?