Presidenti, Gjorge Ivanov është kthyer në vend nga vizita e tij private në Turqi, megjithatë akoma nuk dihet nëse do të japë mandatin për formim të Qeverisë. Disa ditë pasi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e njoftoi me shkrim Ivanovin se është formuar shumicë parlamentare, nga kabineti i Presidentit nuk bënë me dije nëse ka qëndrime të reja por na udhëzuan që t’i referohemi qëndrimit tashmë të bërë publik.
Kabineti i kryetarit konfirmon se ka arritur letër nga Kuvendi i RM-së. Presidenti Gjorge Ivanov do të veprojë konform Kushtetutës së RM-së dhe praktikës së vendosur”, konfirmuan nga Kabineti i presidentit Gjorge Ivanov.
Gjithsesi ekspertët thonë se së shpejti do të kemi qeveri të re. Ata presin që Presidenti Ivanov mandatin për formim të qeverisë t’ia jep Zoran Zaevit. Në të kundërt shumica parlamentare do ta zgjedhë vetë Qeverinë. Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trëndafil Ivanovski vlerëson se qytetarët përmes zgjedhjeve tashmë ia kanë bartur sovranitetin shumicës parlamentare.
Përfundimisht mendoj se do të vetëdijesohet dhe se mandati do të jepet. Nëse vjen deri aty sa Ivanov të jetë aq kokëfortë e të mos e jep mandatin, atëherë shumica parlamentare është e detyruar që vetë ta merr mandatin, sepse sovraniteti buron nga qytetarët, qytetarët këtë e kanë bërë dhe shumica parlamentare pikërisht duke e shfrytëzuar mundësinë nga Neni 2 i Kushtetutës së RM-së mund vetë ta kryejnë zgjedhjen e qeverisë – deklaroi Trëndafil Ivanovski, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
I të njëjtit mendim është edhe profesori Arsim Sinani. Sipas tij, presidenti Ivanov mund të jetë peng i Nikolla Gruevskit, por ai nuk mund ta pengojë më procesin e formimit të Qeverisë.
Nuk mendoj se Ivanovi nuk mund ta jep mandatin për themelimin e qeverisë së ardhshme, por mendoj se Ivanovi ka qenë dhe vazhdon të mbetet peng i Nikolla Gruevskit, Sasho Mijallkovit, Gordana Jankullovskës, Çavkovit dhe atij grupi të njerëzve të cilët e sollën Maqedoninë në gjendjen në të cilën është sot. Nëse Ivanovi nuk e jep mandatin me të drejtë 67 deputetët të cilët tanimë përbëjnë shumicën e re parlamentare, ku janë partitë shqiptare në bllok dhe LSDM-ja, nuk duhet të presin as 1 minut, por do të duhet ta themelojnë qeverinë e re – tha Arsim Sinani, profesor në Universitetin e Prishtinës.
Ditë më parë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev njoftoi se do ta takojë edhe një herë Ivanovin për ta njoftuar me programin e Qeverisë së re dhe për ta siguruar se do të angazhohet për Maqedoni unitare dhe për të ardhme euro-atlantike. Ndërsa kryeparlamentari, Talat Xhaferi paralajmëroi se Kuvendi do ta votojë Qeverinë e re edhe në rast se Presidenti Ivanov nuk e jep mandatin./Alsat-M