Sot 17 vjet nga dalja në skenë e UÇPMB-së, ushtrisë çlirimtare që ndryshoi gjendjen e shqiptarëve në “Kosovën Lindore”.Të nderuar vëllezër dhe motra të vendit tim të dashur të “Kosovës Lindore” sot unë bashkë me ju kujtojmë 26 janarin, kujtojmë momentin historik të vendit tonë, kujtojmë ngjarjen e cila u bë shkak për një fillim të ri të jetuarit në Preshevë, Medvegj dhe Bujanoc.
Sot 17 vite pas, më dhemb shpirti që smund të jem në mesin tuaj e t’a kujtojmë sëbashku këtë ngjarje, të mblidhemi në fshatin Dobrosin, në fshatin legjendar që aq shumë i dha vendit tonë.

Në jetën time kam kaluar shumë sfida por, më të vështirën po e përjetoi tani, u bënë shumë vite pa e parë vendin tim, vendin që aq shumë e dua, vendit që i dhash e jam në gjendje ti jap gjithçka, kurdo qoftë nevoja. Pas përfundimit të luftës, kam menduar e besuar që Presheva, Medvegja e Bujanoci u çliruan përgjithmonë por, sot 17 vite pas gjendja është ndryshe, fatkeqësisht.

Sot, kemi një Medvegjë të spastruar e braktisur, kemi një Bujanoc që për inate personale po luftojnë vëllai vëllan, dhe kjo hasmëri shkoi aq larg sa nuk ishin të gatshëm pas zgjedhjeve lokale të këtij viti të bashkohen, dhe si pasojë e kësaj hasmërie ia falën 40% të pushteti sërbëve.

Koha dridhet e përdridhet por do të vijë dita që do të zgjidhet, sepse ai vend pati, ka e do të ketë njerëz që punojnë fuqishëm për ruajtjen e identitetit dhe substancës kombëtare.

Shefket Musliu, Komandant i ish UÇPMB-së