Kjo ishte radha pranë Pallatit të Kongreseve të shtunën për të siguruar një biletë për koncertin e Vjenës në Tiranë.

Ndoshta për herë të parë, qindra shqiptarë u vunë në radhë për të blerë të drejtën për të ndjekur nga afër një eveniment të konsideruar unik, koncertin e violinistit shqiptar, Shkëlzen Doli dhe Ansamblit të Filarmonisë së Vjenës.

Interesi i jashtëzakonshëm bëri që shitja e biletave që nisi rreth orës 10:00 të përfundojë në kohë rekord, ndërsa çmimet e tyre varionin 3000, 5000, 6000 dhe 7000 lek, në bazë të vendit në sallë.

Ata që nuk mundën të sigurojnë një biletë ishin kritikë për organizimin dhe numrin e biletave të vëna në dispozicion.

Qytetarja: Më duket e çuditshme sesi mund të mbarojnë për gjysëm ore biletat.

Qytetarja: Doja patjetër ta shikoja dhe prandaj erdha kaq herët, por ishte e pamundur. Mesa duket kanë qenë të tjerët më të shkathët sesa unë.

Qytetarja: Ndoshta duhet ta kishin shtuar dhe një natë tjetër.Kërkesat janë të larta, ai është artist shumë i mirë.

Veç Pallatit të Kongreseve, 10 % e biletave thuhet se u shitën online, por edhe për këtë pati raportimeve për probleme.

Qytetari: Nuk u shitën bileta siç ishte prononcuar, nuk ekziston faqe që të blihen online.
Si përgjigje për kritikat, kompania që organizon koncertin me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës Austriake në Tiranë, reagoi në rrjetet sociale.

“Ju sigurojmë se të gjitha komentet që ju keni bërë u mbajtën shënim dhe do te bëhet më e mira në edicionin tjetër 2018”.

Interesi për koncertin tërhoqi vëmendjen e kryeministrit Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi dëshirën për ta kthyer koncertin në një traditë kulturore të kryeqytetit të Shqipërisë Europiane.

Edicioni i parë i Koncertit të Vjenës në Tiranë do të mbahet më 2 janar, ora 20:00 në Pallatin e Kongreseve.

Rradha sot për biletat në Pallatin e Kongreseve
rradha-per-dolin